Lajme

Kurti zotohet se Qeveria e tij do të rikthehet shumë shpejtë

Në kuadër të “Javës së Lëvizjes”, gratë aktiviste të Lëvizjes Vetëvendosje zhvilluan një bashkëbisedim online për ecjen e organizatës tonë ndër vite, si dhe për angazhimet e shumta që i presin.

Në një njoftim të kësaj partie thuhet se gratë përherë kanë qenë të përfshira në Lëvizje.

“Sekretarja Organizative, Vlora Haxhimehmeti, foli për rritjen e numrit të anëtareve ndër vite dhe për forcimin e strukturave tona me pjesëmarrjen e grave aktiviste në to. Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes, ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, përmendi punën e bërë nga organizata, e sidomos gratë brenda organizatës tonë në adresimin e dhunës mbi baza gjinore, dhe për financimin e strehimoreve për viktima të dhunës që ka bërë qeveria Kurti. Ajo shprehu bindjen se kjo punë e mirë do të vazhdoj përmes një përfshirje edhe më të gjerë të grave në Lëvizje”, thuhet në njoftim.

Sipas këtij njoftimi, Kryetari i LVV-aq, Albin Kurti, uroi aktivistet dhe anëtaret për 15 vjetorin e Lëvizjes, dhe mes të arriturave të qeverisjes së mirë, theksoi punën e rëndësishme që kanë bërë gratë që qeverisja të jetë e tillë.

“Duke iu referuar vullnetit qytetar të shprehur në peticionin që kërkon zgjedhje, ai tha se qeveria e punës dhe e drejtësisë, ajo e barazisë do të rikthehet shumë shpejtë. Gratë aktiviste nga Qendrat e Lëvizjes në Kosovë, nga Qendrat e Mërgatës dhe Qendra jonë në Shqipëri shtruan shumë ide se si duhet të ecet përpara me organizimin e grave shqiptare kudo që janë, ato e rikonfirmuan gatishmërinë për angazhim edhe më të përkushtuar e dinamik në të ardhmen”, thekson LVV.

Po ashtu, u tha se lëvizja Vetëvendosje bashkë me Sekretariatin e Gruas Aktiviste, do ta rris angazhimin për të sfiduar çdo imponim e rëndesë mbi gratë.