Lajme

Kurti zbulon bisedën me Borrellin dhe sekretarin e NATO-s

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ka biseduar me me Përfaqësuesin e Lartë të Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrellin dhe Sekretarin Gjeneral të NATO-s, Jens Stoltenberg në lidhje me zhvillimet në Veri të Kosovës.

Kurti ka thënë se është dakorduar për qetësim të situatës teksa ka shtuar se dialogu është rruga e vetme për të gjetur një zgjidhje.

“Pata një bisedë telefonike me Përfaqësuesin e Lartë të Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrellin dhe Sekretarin Gjeneral të NATO-s, Jens Stoltenberg. Aty diskutuam për sundimin e ligjit, paqen dhe sigurinë si dhe nevojën për shtensionim të situatës në Veri të Kosovës. Dialogu është rruga e vetme që të gjendet një zgjidhje”, ka shkruar Kurti në rrjetin social Tëitter.

Ndryshe, që prej vendosjes së masës së reciprocitetit për targat e Serbisë, më 20 shtator, tensionet janë rritur në veri të Kosovës, ku qytetarët serbë po kundërshtojnë këtë masë. Ata kanë bllokuar me makina dhe mjete të tjera rrugët që çojnë për në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Të gjitha automjetet me targa serbe, që hyjnë në Kosovë, duhet t’i heqin targat dhe të vendosin targa të përkohshme të lëshuara nga autoritetet e Kosovës. Prishtina ka thënë se një gjë e tillë praktikohet për vite me radhë nga Beogradi.

Borrell gjatë ditës ka dërguar mesazh që Forcat Speciale të Kosovës të tërhiqen dhe të ndalen provokimet ushtarake të Serbisë.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?