Lajme

Kurti tha se ishte student i Demaçit, ‘përgjigjet’ Naser Rugova: Unë jam student i Ibrahim Rugovës

Naser Rugova i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka bërë një reagim pasi kryeministri Kurti u shpreh se “ishte student i Adem Demaçit”.

Kryemnistri Kurti në një intervistë për televizionin N1 të Bosnjes, shprehu atë që pretendon të jetë dallimi mes tij dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq.

“Aleksandar Vuçiq, presidenti i Serbisë sot, është student politik i Vojisllav Sheshelit. Ndërsa unë, si Kryeministër i Republikës së Kosovës, unë jam student politik i Adem Demaçit. Dhe ky ballafaqim, kjo përplasje ndërmjet Kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, është në një mënyrë thelbësore, përplasje ndërmjet Adem Demaçit, atij vizioni dhe asaj trashëgimie dhe Vojisllav Sheshelit në anën tjetër.” – u shpreh Kurti.

Por, mes tyre në mënyrë mjaft të çuditshme u nëpërfut Naser Rugova që shkroi fjalët si vijon:

“Unë jam student i Ibrahim Rugovës! Besoj nuk ka nevojë për sqarime shtesë!”- tha ai, duke ndarë edhe një fotografi ku duket me presidentin e ndjerë historik të Kosovës.

Duhet kujtuar se në vitet e pasluftës (por edhe të paraluftës) ka ekzistuar një ndarje e theksuar mes krahut të Ibrahim Rugovës dhe atij të Adem Demaçit. Dy figurat e shquara të përpjekjes kombëtare kosovare për liri dhe pavarësi ndanë në një formë edhe spektrin politik, me LDK-në në njërën anë dhe PDK-në, Vetëvendosjen e të tjerat në anën tjetër.

Vetëvendosje madje në një komunikatë do të sulmonte ashpër Hashim Thaçin që në atë kohë drejtonte PDK-në se i kishte shkuar në varrim Rugovës, të cilin e konsideronte “kolaboracionist”.