Lajme

Kurti: S’mund ta zgjidhim problemin e energjisë për 10 muaj, çka s’ka mundur LDK për 20 vjet

Kryeministri Albin Kurti në seancën e sotme plenare ku po diskutohet për rritjen enorme të çmimeve, iu është kundërpërgjigjur kritikave të deputetëve të opozitës për krizën energjetike, duke thënë se nuk mund ta zgjidhë çështjen e energjisë për dhjetë muaj, çka sipas tij s’ka bërë mirë pushteti i kaluar për 20 vjet.

Duke iu përgjigjur deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrmai për mos përmbushjen e premtimeve për uljen e çmimit të rrymës, kryeministri Kurti tha se deputetja në fjalë po flet sikur të ishte votuese e Lëvizjes Vetëvendosje.

Madje, Kurti ka akuzuar ish-qeverisjen e LDK-së për refuzimin e projektit për rivitalizimin e TC Kosova A nga kompania gjermane “Bilfinger”.

“E nderuara deputete Bajrami, ju po flisni si votuese e imja që s’ua kam mbajtur premtimet. Program ynë është shumë i gjatë. Prej vitit 2013, ne jemi angazhuar përveçse kemi pasur qëndrim kundër privatizimit të shpërndarjes dhe furnizimit, por gjithashtu edhe për rivitalizimin e “Kosovës A”. Ka qenë një projekt i mirë i ‘Bilfingerit” gjerman, i cili është refuzuar edhe kur ju keni qenë në qeverisje, dhe ja ku jemi sot këtu. Unë nuk kam thënë që do të ulen çmimet e energjisë elektrike në ditën kur do të bëhem kryeministër, por në të kaluarën ka pasur tarifa nxitëse, të cilat e kanë rritur çmimin e energjisë elektrike… Nuk mund ta bëjmë për 10 muaj, çka s’keni bërë ju mirë për 20 vjet, e çka keni bërë keq për 20 vjet, unë s’mundem me ua bërë mirë për 10 muaj. Për besë kisha dashur, por nuk mundem”, tha Kurti.

Ndërsa, lidhur me këtë çështje janë përplasur deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami me deputeten Mimoza Kusari-Lila.

Bajrami ka akuzuar Kusari-Lila se ka aktakuzë për korrupsion, që sipas saj ai proces ka krijuar monopol për furnizim e që është një ndër shkaktarë e krizës energjetike sot.

Derisa Bajrami ka kërkuar hetim për procesin e privatizimit, është përgjigjur se projekti nga “Bilfinager” është refuzua për shkak se qeveria në atë kohë ka qenë në negociata dhe siç tha ajo ka qenë tenderi i shpallur me kompanitë amerikane për “Kosovën e re”.

“Unë e kam një problem, sa herë që deputetja Kusari del të flasë kundër qeverive të kaluara për sektorin e energjisë, ajo duhet ta di se e ka një aktakuzë për korrupsion për rastin e distribuimit, madje për privatizim të hidrocentraleve. Unë mendoj se ata njerëz duhet të hetohen se i kanë bërë dy monopole në Kosovë”, tha ajo.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar deputetja Mimoza Kusari-Lila, e cila tha se nuk ndihet fajtore për privatizimin e KEDS-it.

“Deputetja Bajrami e ka si hobi, sa herë që ta merr fjalën me përmend aktakuzën, edhe ta përmendë faktin që unë kam qenë shefe e përgjegjëse gjatë gjithë kohës. Për informatën tuaj në qeverisjen sa unë kam mbajtur një post kam qenë anëtare e Komitetit qeveritar në cilësinë e ministres që ti ke pasuar ministre e Tregtisë dhe Industrisë. E kam thënë, po e përsëris, dihet vendim marrja, dihet kush e ka kryesuar atë Komitet dhe dihet mbi çfarë baze është ngritur ajo aktakuzë. Megjithatë, nëse dëshironi krejt të bëmat e mungesës së vendimmarrjeve të 20 vjetëve t’i faturohen në dy vjet e shtatë muaj të kohës time në qeverisjen, sepse veç ajo periudhë ka qenë kur unë kam mbajtur mandat qeveritar. Dy vjet e shtatë muaj, përkundrejt PDK-së 12 vjet, përkundrejt juve (LDK-së) 10 vjet dhe AAK-së 6 vjet. Investimet në sektorin e energjisë bëhen afat gjate nuk bëhen për dhjetë muaj të Qeverisë Kurti”, tha ajo.