Lajme

Kurti s’lëkundet: Taksa të zëvendësohet gradualisht me reciprocitet

Kryeministri Albin Kurti ka pohuar se nuk lëvizë nga qëndrimi i tij për zëvendësimin gradual të taksës 100% për mallrat serbe me reciprocitet.



Kurti edhe njëherë e përsëriti qëndrimin e tij në një konferencë për media disa ore pasi partneri i koalicionit qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës, tha se do e iniciojë mocionin e mosbesimit për rrëzimin e qeverisë.

“Sa i përket tarifës unë kam shprehur qëndrimin tim që besoj edhe sot e kësaj dite që është edhe më i miri edhe më i drejti edhe më i dobishmi, e ky është zëvendësimi gradual i tarifës 100% për mallrat nga Serbia me reciprocitetin karshi Serbisë”.

“Me këtë rast ne do të bënim hapin e parë si gjest i vullnetit të mirë, e do të vazhdonim më pas duke parë edhe reagimin e palës tjetër. Serbia duhet ta ndalë fushatën kundër njohjeve të Kosovës dhe anëtarësimit të saj nëpër organizata ndërkombëtare”.

“Madje edhe Ambasadori Amerikan në Berlin, Richard Grenell, e ka vlerësuar propozimin tim si gjysmë mase – half measure, pra nuk është zero meassure – masë zero. Më mirë gjysmë se fare – edhe gjysmë drejt krejt – por me ndërtim të mirëbesimit në proces e sipër. Ky është qëndrimi im dhe kjo është qasja më racionale në kontekstin që jemi”.



Kurti kujtoi se zëvendësimi gradual i taksës me reciprocitet është pjesë e planit qeverisës dhe se ishte pikë mbi të cilën VV dhe LDK kanë ndërtuar marrëveshjen e koalicionit. Sipas tij, po që se LDK-ja nuk pajtohet me këtë pikë, do të duhej të mos e pranonte marrëveshjen e koalicionit.

Kryeministri komentoi edhe deklaratën e Ministrit Agim Veliu për shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme, pas së cilës edhe e shkarkoi këtë të fundit.

“E kam thënë dhe sot e them që e kemi LDK-në partner, ne e kemi LDK-në në koalicion qeverisës dhe duam ta kemi. Por, nuk besoj që LDK-ja do të duhej të identifikohej me deklaratën e mbrëmshme të Agim Veliut ‘A jeni për shpalljen e gjendjes se jashtëzakonshme: Po sigurisht’ – JO MINISTER. Nuk mundet ministri të shpallë Gjendje të Jashtëzakonshme në mesnatë”.



“LDK-ja nuk do të duhej të identifikohej me deklarata të mesnatës të njërit ministër që nuk e mban atë qëndrim në mbledhje të brendshme dhe pastaj del kundër kryeministrit. Kur kemi qenë në negociata për koalicionin qeverisës kemi thënë se duam bashkëpunim dhe duam respektim. Për këtë kemi marrëveshje me tekst edhe programin qeverisës tash”.

Kurti gjithashtu njoftoi se ka takuar Ambasadorin e SHBA-ve në Kosovë, Phillip Kosnnet, gjatë ditës së djeshme dhe se taksa nuk ishte temë diskutimi.

Ai shtoi se duan dhe do të kenë marrëdhënie dhe partneritet e aleancë të fuqishme me Amerikën.

“SHBA-te dhe BE-ja – Amerika dhe Evropa, na nevojiten që të dyja. Nuk kemi zëvendësim për to dhe ato nuk e zëvendësojnë njëra-tjetrën. Është gabim, jo vetëm i politikës së jashtme, por edhe kombëtar e historik të thuash ‘Po Amerika’ e ‘Jo Evropa’ apo ‘Jo Amerika’ e ‘Po Evropa’. Lidhja transatlantike është jetike për Kosovën si Republikë dhe për shqiptarët si komb”.