Lajme

Kurti: S’kanë me mujt me vjedh mo me qeverinë tonë, hajnat e kanë vendin në burg

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë vizitës në lagjet 028 dhe 029 në Fushë Kosovë, ka thënë që ditën e zgjedhjeve, do të festojnë, sepse sipas tij, do t’i kenë më shumë se 61 deputetë në Kuvend.

Kurti tha që nuk do të ketë diskrimin për qytetarët e Kosovës dhe se do të trajtohen në mënyrë të barabartë.

“Ne po përpiqemi ta bëjmë ditën 25 orë, pasi 24 i kemi bërë. Para disa javësh, i kemi ndezur motorat dhe turbinat. E të dielën me14 shkurt, do të festojmë shumë sepse do t’i bëjmë 61 deputetë e përpjetë”.

“Gjatë qeverisjes në pranverën e vitit 2020, unë kam pasë raporte shumë të mira me Elbert Krasniqin. Ne, nuk do të bëjmë kurrfarë dallimi dhe diskriminimi për qytetarët e Kosovës, por bashkarisht do t’u ndihmojmë që ta eliminojmë varfërinë ekstreme dhe ta rrisim punësimin e sidomos punësimin në profesion, të cilin e lidhim me arsimin e shkollimin. Nuk bën shteti për dikë me qenë nënë e dashur, e për dikë njerkë e hidhur. Duhet me qenë i barabartë për krejt”.

Në ditën e fundit të fushatës, Kurti tha se do të jenë të fokusuar shumë tek fëmijët.

“Do të ndikojmë më së shumti te fëmijët, sepse fëmijët e varfër duhet t’i nxjerrim nga varfëria edhe kur familja është e varfër. Shteti duhet të ndërhyjë jo me polici, por shteti social me ndihma dhe me shtesa në mënyrë që të mos kenë dhembje barku e koke, ata që janë të uritur”.

“S’kanë me mujt me vjedh mo me qeverinë tonë. Hajnat e kanë vendin në burg, shteti duhet me qenë pa hajna”, u shpreh Kurti.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?