Lajme

Kurti pyeste, shtrenjtim apo reduktim? Qeveria vendos për shtrenjtim të rrymës

Shtrenjtimi i rrymës ishte paralajmëruar nga kryeministri Albin Kurti, i cili në muajin dhjetor përmes një statusi në Facebook kishte thënë se ose do ketë reduktime të energjisë ose shtrenjtim të saj. E Qeveria sot ka vendosur për shtrenjtim, duke ia aprovon ZRRE’së rritjen e çmimit të energjisë, shkruan Gazeta Metro.

“Çmimet e larta të importit janë pasojë e faktorëve të jashtëm, ndërkaq dobësimi i kapaciteteve është pasojë e shkaqeve të brendshme. Në këtë situatë nuk ka zgjidhje të mirë: ose reduktime të energjisë, ose shtrenjtim të energjisë? Shumë më herët, Kosova është dashur të mendojë më shumë e më mirë, që të mos përfundojë në këtë gjendje të keqe”, kishte thënë Kurti me 27 dhjetor të vitit të kaluar.

Pas kësaj deklarate të Kurtit, shtrenjtim të energjisë elektrike prej 30 deri në 40 përqind kishte kërkuar KEDS nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike.

E në raportin e Zyrës së Rregullatorit për Energji u propozua që tarifa për konsumatorët me 800 kWh rrymë të shpenzuar në muaj të rritet në vlerë prej 13.31 eurosh. Ndërsa konsumatorët që shpenzojnë 1000 kWh rrymë në muaj, sipas propozimit të ZRRE-së përballen me një rritje prej 24.62 euro të çmimit të rrymës.

Sot Qeveria e Kosovës e ka aprovuar kërkesën e Zyrës së Rregullatorit për Energji, për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët që harxhojnë më shumë se 600 kWh energji.


SHIKO EDHE: 10 teknologjitë e lashta për të cilat shkenca ende nuk ka përgjigje