Lajme

Kurti për Thaçin e Veselin në Hagë: Ata që luftuan për lirinë janë në burg, kur Vuçiqi flirton me Putinin

Albin Kurti ka folur në një intervistë për gazetën italiane “La Repubblica” edhe për ish-krerët e UÇK-së, që po mbahen në Hagë, ku tha se është e pabesueshme kjo, teksa e quajti paradoks europian.

Kryeministri Kurti, medias italiane i tha për ish-krerët e UÇK-së, përfshirë Hashim Thaçin e Kadri Veselin, se bënë luftë të fortë me Serbinë, ku sipas tij kjo është e pabesueshme të mbahen në burg kur luftuan për liri, ndërsa Vuçiq flirton me Putinin si ish-ministër i Millosheviçit.

“Kanë bërë luftë të rëndë me Serbinë, kemi pasur dy mijë dëshmorë. Është e pabesueshme të kesh politikanë të rangut të lartë të Kosovës në burg që luftonin për liri ndërsa Vuçiq, ministri i Millosheviçit, flirton me Putinin. Është një nga paradokset europiane”, tha Kurti për “La Repubblica”, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Ndër të tjerash, Kryeministri Albin Kurti, e ka quajtur Presidentin serb, Aleksandar Vuçiq “kukull të Kremlinit”, që drejton një vend që imiton Rusinë, edhe pse nuk është në krye të saj.

“Ajo dëshiron paratë evropiane dhe armët ruse. Dhe gazin rus, të cilin e merr një çmim të volitshëm, por në fakt shumë të shtrenjtë: të jetë kukulla e Kremlinit. Vitin e kaluar Kosova mori pjesë me 350 ushtarë në stërvitjen më të madhe të NATO-s, Defender Europe 2021. Serbia, nga ana tjetër, mori pjesë me Rusinë dhe Bjellorusinë tek “mburoja sllave”. Kanë këto mite mesjetare, pansllaviste dhe shumë të errëta”, shtoi Kurti në intervistën për mediumin italian “La Repubblica”, që e përkthyer në shqip u shpërnda nga zyra e Kurtit në faqen zyrtare. /Reporteri.net/


SHIKO EDHE: 10 teknologjitë e lashta për të cilat shkenca ende nuk ka përgjigje