Lajme

Kurti: Nëse fle, Bislimi bie në gjumë dhe zgjohet në mëngjes me këtë preokupim

Kryeministri Albin Kurti tha se regjistri i konsumatorëve në veri të vendit është preokupimi me të cilin zëvendësi i tij, Besnik Bislimi “zgjohet në mëngjes dhe bie të fle në mbrëmje”, raporton Gazeta Express.

Kurti tha në një konferencë për media se Qeveria s’mund ta përballojë më pagesën e rrymës së shpenzuar në veri.

“Preokupimi ynë kryesor është zbatimi i udhërrëfyesit i cili do të na mundësonte që sa më parë të fillojë edhe pagesa e energjisë elektrike në veri të Kosovës sepse shteti ynë, Qeveria jonë nuk mund ta përballojë as financiarisht dhe as materialisht një përsëritje të viteve të mëhershme. Pra, duhet të fillojë inkasimi i energjisë elektrike në veri të Kosovës”, tha ai.

“Ju e dini që Zyra e Rregullatorit për Energji i ka pasë dy javë që ta bëjë licencimin. E ka bërë për dy ditë, mirëpo nga ana tjetër, nuk e kemi regjistrin e konsumatorëve në veri dhe ky është preokupimi ynë kryesor dhe kjo është çështja numër 1 me të cilën zgjohet në mëngjes dhe bie të fle në mbrëmje zëvendësi im – nëse fle – Besnik Bislimi, sepse sot nuk ka gjë më të rëndësishme për të, do të thosha edhe për shtetin tonë sesa të zbatohet ai udhërrëfyes dhe përfundimisht të kemi shërbimin e furnizimit edhe në veri, pagesën e energjisë së konsumuar, dhe në këtë mënyrë, stabilitetin energjetik në Kosovë”, shtoi kryeministri.