Lajme

Kurti: Borrelli më kërkoi pezullim të vendimit për targat dhe garanci për Asociacionin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë gjatë mbledhjes së Qeverisë se Shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka kërkuar pezullimin e vendimit për targat si dhe garancinë për formimin e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Në paragrafin ishte çështja e targave së bashku me garancionet për komunitetin serb të cilat do të diskutoheshin në propozimin e Bashkimit Evropian, pra në marrëveshjen për normalizim”, ka thënë Kurti.

Kreu i ekzekutivit ka kritikuar qasjen e Bashkimit Evropian për anashkalimin e bisedimit të çështjeve për marrëveshjen përfundimtare.

“Unë nuk jam as polic, as komandant stacioni, as doganier që të merrem me ndonjë çështje teknike që del nga biseda. Unë jam për një marrëveshje përfundimtare ndërkombëtare dhe ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohjen qendrore. Ky duhet të jetë qëllimi. Autorët e propozimit të BE-së e braktisën propozimin e tyre, kështu që takimi përfundoi”, ka thënë Kurti.

Kurti ka treguar më hollësisht për atë çfarë ndodhi më 21 gusht në Bruksel. Vendimi për targat pritet që të hyjë në fuqi nesër. Qytetarët që nuk i kanë targat RKS do të gjobiten. Ky vendim kishte për të nisur të martën, por Kurti e shtyu për 48 orë me kërkesë të SHBA-ve. /Express