Lajme

Kur do t’i kthehen punës me viza për kosovarët Ambasadat e SHBA’së, Zvicrës e Gjermanisë

Ambasadat e huaja në Kosovë ende nuk kanë një datë të caktuar se kur do të rifillojnë punën si pasojë e pandemisë. Ambasadat kryesore në vend në përgjigjet e tyre kanë thënë se kjo do të varet nga udhëzimet e autoriteteve kosovare, gjegjësisht Ministria e Shëndetësisë në lidhje me lehtësimin e masave pas 4 majit.

Ambasada e Zvicrës në Kosovë përpos shtetit zviceran përfaqëson edhe pesë shtete tjera të zonës Shengen, Austrinë, Francën, Belgjikën, Holandën dhe Luksemburgun

Ambasada zvicerane ka deklaruar se rifillimi i punës në këtë ambasadë do të varet nga autoritetet e Kosovës por edhe nga ato zvicerane për të hequr kufizimet e kalimit kufitar.

“Ambasada e Zvicrës ndërsa është akoma e hapur, do të rifillojë aktivitetet e saj normale posa të lejojnë kushtet e përgjithshme një gjë të tillë. Shkaktarët kryesorë do të jenë vendimet e autoriteteve të Kosovës për të zbutur masat e marra për të luftuar COVID-19 dhe vendimet e autoriteteve zvicerane për të hequr kufizimet e kalimit kufitar. Kjo e fundit duket se do të bëhet hap pas hapi.Ambasada e Zvicrës do të bëjë më të mirën për të vazhduar ofrimin e shërbimeve me cilësi të lartë për popullin e Kosovës dhe do t’i mbajë ata të informuar për çdo zhvillim përmes faqes së saj në Facebook”, thuhet në përgjigjen e kësaj ambasade.

Ambasada amerikane në Kosovë vitin e kaluar ka bërë përurimin e objektit të ri ku tashmë kosovarët do të mund të pajisen me të gjitha vizat pa pasur nevojë të udhëtojnë në Shkup.

Nga ambasada e ShBA’së thanë se do t’i përmbahen udhëzimeve të lëshuara nga MSH’ja që do të përfundojnë më 4 maj por që është vështirë të ipet përgjigje se në cilën datë mund të rifillojë puna.

“Ambasada e SHBA-ve vazhdon t’i përmbahet udhëzimeve të lëshuara nga Ministria e Shëndetësisë të cilat për momentin përfundojnë me 4 maj. Sikurse edhe shumë biznese dhe institucione, gjersa ne punojmë në plane per kthim në punë normale, deri sa sa nuk e dijmë kur kjo datë mund të jetë është vështire të jipet përgjigje më konkrete lidhur me intensifikimin e punës. Ne inkurajojmë lexuesit tuaj që të përcjellin ëeb faqen ose Facebook-un e ambasadës për hollësitë e fundit lidhur me vazhdimin e shërbimeve të plota konsullore”, thuhet në përgjigjen e ambasadës së ShBA’së në Prishtinë.

Ambasada e Gjermanisë e cila ka kërkesa të mëdha për pajisje me viza nga kosovarët thanë për Express se nuk kanë ende datë të caktuar se kur mund të nisin punën, por që për këtë do të njoftohen qytetarët përmes uebfaqes së ambasadës.

“Meqë kjo varet nga masat ndërlidhura me virusin corona, që janë ndërmarrë në Kosovë, edhe në Gjermani, nuk ka ende një datë të caktuar. Të gjitha informatat relevante do të publikohen me kohë në uebfaqen e Ambasadës Gjermane si dhe përmes kanaleve të rrjeteve tona sociale”, thuhet në përgjigjen e ambasadës gjermane në Kosovë.

Ministria e Shëndetësisë me datë 15 prill ka marrë vendim për masat e reja të qarkullimit për qytetarët për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Vendimi i MSH’së ka hyrë në fuqi më 15 prill dhe do të vlejë deri më 4 maj 2020.

Nga data 08 shkurt deri më 28 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 6.955 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 790 raste, ndërsa gjithsej njëzet 22 raste kanë ndërruar jetë dhe të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot në Kosovë është gjithsej 232 raste.