Lajme

Kur do të fillojnë laboratorët privat të bëjnë teste serologjike për CoVID-19?

Sektori privat shëndetësor në Kosovë, ende nuk ka filluar të bëjë teste serologjike, në bazë të të cilave mund të vërtetohet nëse një person e ka pasur koronavirusin. Testet e tilla janë të rëndësishme për të përcaktuar shkallën e imunitetit ndaj sëmundjes COVID-19, e cila shkaktohet nga koronavirusi i ri, posaçërisht te personat që nuk kanë shfaqur simptoma.

Por njëra nga masat e reja të Qeverisë së Kosovës për parandalimin e pandemisë COVID-19 është pikërisht “licencimi i institucioneve private shëndetësore për të kryer testime për COVID-19, e që është në përputhje me ligjet në fuqi”.

Laboratorët privat në vend tashmë po deklarojnë se janë të gatshëm të bëjnë teste serologjike.

Valon Sopa, udhëheqës i laboratorit privat ‘’Analiza’’ në Prishtinë, tha për gazetnën Objektiv se qysh tash mund të bëjnë teste serologjike, pasi kanë edhe aparaturë, por edhe mundësi që të sigurojnë reagenca që nevojiten për ti kryer këto lloj analizash. Por, ai thotë se ende nuk kanë marrë ndonjë lajm se mund të aplikojnë për licencim në Ministrinë e Shëndetësisë.

“Testet serologjike bëhen me gjak, dhe kontrollohet imuniteti ose antitrupat nga COVID-19. Pra, më shumë është për të parë nëse personi ka pasur kontakt me person të infektuar dhe ka zhvilluar infeksion. Ne e kemi aparaturën që bëjmë analiza të ndryshme. I kemi dy aparate, pra nga dy prodhues të ndryshëm. Që të dy kompanitë, na kanë ofruar teste serologjike për COVID-19″.”, tha Sopa.

Kosova po bën shumë pak teste që nga fillimi i pandemisë. Prej lirimit të masave numri i të prekurve me koronavirus është rritur dukshëm, derisa maksimumi i testimeve që i ka bërë Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës, e që është i vetmi institucion që bën teste për sëmundjen e Covid19, ka qenë rreth 500.

Nga Instituti Kombëtar të Shëndetësisë Publike kanë thënë se nëse merret në konsideratë se për çdo rast pozitiv ka mesatarisht 36 persona të kontaktit dhe të gjithë ata dëshirojnë të testohen, i bie që në 100 raste të konfirmuara, kërkesat ditore për testim të jenë afër 3.600 teste në ditë.

Andaj, siç thotë ata kjo ka shtyrë IKSHPK-në, që varësisht stokut, testimi të bëhet sipas radhës së prioriteteve duke u fokusuar në personat simptomatikë, grupet e rrezikuara dhe punëtorët shëndetësorë.

Faik Hoti nga Ministria e Shëndetësisë tha se rritja e shkallës së mbulueshmërisë së popullatës me testime për COVID-19 është objektiv strategjik i një drafti të plan-veprimit bazuar në njërën nga masat e reja të Qeverisë së Kosovës për parandalimin e pandemisë COVID-19.

Ai tha se tashmë është themeluar grupi punues nga Ministria e Shëndetësisë së bashku me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, e këtu përfshihen edhe institucionet private shëndetësore.

“Testet serologjike mendohet të kryhen krahas IKSHPK-së dhe qendrave rajonale edhe në qendra të mjekësisë familjare, por edhe në spitale private shëndetësore, me kushtin që ato do të licencohen me kriteret që do t’i përcaktojë Ministria e Shëndetësisë. Me lejimin e testimeve në sektorin privat do të mbikëqyren nga IKSHP-ja si institucion i vetëm që kryen teste valide për COVID-19’’, tha Hoti, për gazetën Objektiv.

Sidoqoftë, deri në fund të këtij viti është menduar që Kosova t’i ketë 100 mijë teste virologjike dhe dyfishin e testeve serologjike, me të cilat do të testohet popullata, në mënyrë që të diagnostikohet COVID-19, por edhe të shihet shkalla e imunitetit të fituar të popullatës të cilët nuk janë diagnostikuar asnjëherë me koronavirus. /Objektiv/


SHIKO EDHE: 10 teknologjitë e lashta për të cilat shkenca ende nuk ka përgjigje