Lajme

Kujdes: Po vijnë temperaturat përvëluese, të shtunën deri në 39 gradë Celsius

Organizata Botërore e Meteorologjisë, dje mbajti një konferencë të jashtëzakonshme me gazetarë, teksa vala e të nxehtit ka përfshirë gjithë kontinentin e Evropës, përktheu prej Reuters, Periskopi. Ndërkohë, sipas faqes kompetente në parashikimin e motit në Kosovë, Prishtina Ëeather, edhe ne po hyjmë në valën e të nxehtit, ku më e madhja, shihet të vije këtë të shtunë, 37 deri në 39 gradë Celsius.

Në Mbretërinë e Bashkuar, janë regjistruar temperatura rekorde që kanë arritur deri në 40 gradë Celsius, shkruan Periskopi. Vala e të nxehtit ka prekur edhe shtetet si Spanja, Portugalia e Franca që janë përballur me shpërthime të zjarrit. Ndërkohë, edhe në vendin tonë, në Kosovë, parashihet që prej sot (e mërkurë), po hyjmë në një valë të të nxehtit të madh.

Sipas faqes kompetente Prishtina Weather, në parashikimin e motit, ditëve në vazhdim, do të jetë shumë nxehtë.

Të dielën, thotë Prishtina W., mund të ketë rrebeshe të shkurta shiu. E shtuna, sipas faqes kompetente, mund të arrijë vende-vende deri në 39 gradë Celsius.

“Temperaturat në rritje, minimalet deri në 20C të dielen, e maksimalet shënojnë rritje deri në 37C ditën e shtunë, lokalisht edhe deri në 39C, e më pas në një rënie të lehtë deri në 34C ditën e hënë”, thotë PW.

Ndërkohë, Organizata Botërore e Meterologjisë, dje tha se presin temperatura mbi normale në Evropë, dhe se kjo po i shqetëson.

“Presim që kjo valë e të nxehtit ta përfshijë Evropën Perëndimore dhe të kalojë në lindje. Presim që temperaturat të qëndrojnë mbi normalen. Jemi të shqetësuar që rekordet po thyhen për një kohë të shkurtë larg njëri-tjetrit”, tha kreu i organizatës, Petteri Taalas, që kishte veshur një kravatë për të treguar rritjen e temperatures mesatare në shkallë globale, shkruan Periskopi.

Gjatë konferencës u bisedua edhe për ndikimin që temperaturat e lartë do të kenë në gjendjen mendore tek qytetarët e prekur nga vala e të nxehtit.

“Është e vështirë të shikohen britanikët teksa po përballen me temperatura të larta. Njerëzit do të preken nga i nxehti edhe në aspektin mental sepse nuk do të jenë në gjendje të flenë në mënyrë të rehatshme. Ne jemi të shqetësuar për njerëzit që punojnë në ambiente të jashtme. Sistemi shëndetësor do të jetë i sfiduar nga njerëzit që do të kenë nëvojë për konsulta mjekësore. Gjithashtu mund të ndodhin edhe aksidente në vendin e punës për shkak se përqendrimi do të preket nga temperaturat e larta”, u tha ndër të tjerash në konferencën e Organiztës Botërore të Meteorologjisë.

Kthehemi te Kosova, me raportin e plotë të PrishtinaWeather:

20.07.2022 – Vala e nxehtësisë do të përfshijë vendin tonë ditëve të ardhshme, që pritet të rrisë temperaturat ndjeshëm mbi vlera mesatare, edhe mbi 35C. Do të ketë më shumë kthjellime dhe intervale të gjata me diell gjatë ditës. Ditën e shtunë me vransira të pakta lokale, e të dielen orëve të pasdites vende-vende me mundësi për rrebeshe të shkurta shiu me bubullima.

Grimcat e materies do të jenë në koncentrime të ulëta ditëve të ardhshme, kështuqë indeksi i cilësisë së ajrit mbetet në vlera të pranueshme e të mira, vetëm orëve të pasdites, rritje shënon ozoni sipërfaqësor, që çon indeksin në vlera mesatare dhe të dobëta.

Ditëve të kthjellëta e me diell, indeksi i rrezeve ultraviolete do të jetë në nivele shumë të larta të rrezikut, ndaj orëve të mesditës rekomandohet t’i ikim ekspozimit më të gjatë ndaj rrezeve të diellit.

21.07 – Kryesisht me diell dhe më nxehtë

22.07 – Shumë nxehtë, kthjellët dhe diell.

23.07 – Shumë nxehtë, kryesisht me diell.

24.07 – Mbetet shumë nxehtë. Pasdite me zhvillime të vransirave lokale, me mundësi për rrebeshe të shkurta shiu dhe bubullima, kryesisht përreth viseve malore.

25.07 – Nxehtë dhe kryesisht me diell.

Temperaturat në rritje, minimalet deri në 20C të dielen, e maksimalet shënojnë rritje deri në 37C ditën e shtunë, lokalisht edhe deri në 39C, e më pas në një rënie të lehtë deri në 34C ditën e hënë.

Erërat frynë kryesisht nga veriu e verilindja, lehtë dhe mesatare 3-8m/s.

Shtypja atmosferike në rënie graduale përreth vlerave normale./Periskopi/