Lajme

Kryetari i Sindikatës së Pensionistëve: Koha që Serbia t’i kthejë pensionet në Kosovë

Kanë kaluar 19 vite prej se pensionistët e paraluftës në Kosovë janë duke i pritur pensionet e tyre nga Serbia. Deri më tani ka pasur shumë premtime, kurse premtimi më i fundit vjen nga kryetari i Sindikatës së Pensionistëve të Kosovës, Sylejman Meta.

Ai thotë se pas shumë insistimesh kanë arritur të marrin listën e pensionistëve kosovarë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, dhe tani atë do ta dërgojnë tek Fondi për Sigurim Pensional dhe Invalidor i Republikës së Serbisë.

“Shënimet kur të shkojnë besoj që situata ka me qenë më ndryshe. Meqenëse jemi vonuar shumë, i dërgohet Fondit Republikan të Serbisë, por edhe Këshillit të formuar nga Gjykata e Strasburgut”, thotë Meta, rapoton RTK.

Megjithatë, kreu i pensionistëve vlerëson se do të ishte më mirë sikur lista të dërgohej në mënyrë institucionale, qoftë përmes qeverisë së Kosovës apo Avokatit të Popullit. Ndryshe, Meta thotë se është në kontakt edhe me avokatin e popullit të Serbisë.

“Tash Avokati i Popullit i Serbisë pajtohet plotësisht që duhet të jepen patjetër pensionet e atyre që i kanë fituar me punë sepse është një proneëprivate”, tha ai.Sipas tij, nuk ka kundërshtime as në Gjykatën Supreme të Serbisë e as nga Fondi i Serbisë për Pensione, me të cilët Meta poashtu thotë se ka pasur kontakte.

Sepse siç thotë ai, Gjykata e Strasburgut ka marrë vendim për kthimin e të gjitha pensioneve, kurse për realizimin e këtij vendimi, “Strasburgu”, ka krijuar edhe një komitet mbikëqyrës në Beograd.

“Strasburgu e thotë në mënyrë të prerë, të gjithë kosovarët duhet të marrin pensionin që u takon, nuk flet për procedura dhe nuk ka nevojë për procedura tjera”, tha ai.Pasi të dërgohet lista në Beograd, aplikimi duhet të bëhet në mënyrë individuale, sqaron Meta.

“Por unë mendoj se duhet të ketë një mbikëqyrje, sikur që është Komiteti për mbikëqyrje në realizimin e vendimit të Strasburgut. Edhe institucionet tona të bëjnë përcjelljen se a po bëhet me rregull.

Ndryshe, çdo pensionist duhet të aplikojë në mënyrë individuale, i kemi siguruar avokatët pa pagesë në Kosovë”, tha ai.Kryetari Sylejman Meta po ashtu kërkon që pensioneve që ata i marrin në Kosovë t’iu ndryshohet emërtimi, sepse po keqpërdoret nga Serbia për refuzim.

Për këtë qëllim, ai planifikon takim me kryeparlamentarin Kadri Veseli, që të dalë në rend të ditës kjo çështje në Parlament, në mënyrë që të quhen ndihma sociale e pensionistëve të paraluftës.


SHIKO EDHE: 10 teknologjitë e lashta për të cilat shkenca ende nuk ka përgjigje