Lajme

Kryetari i një komune në Japoni e dekoron zyrën me flamuj të Kosovës

Republika e Kosovës po përfaqësohet për mrekulli në Lojërat Olimpike ‘Tokyo 2020’ që po mbahen në Japoni, shkruan Gazeta inFokus.

Distria Krasniqi të shtunën e Nora Gjakova këtë të hënë fituan medalje të arta në Xhudo, duke e ngritur në piedestal flamurin e vendin tonë.

Me suksesin e xhudisteve nga Peja nuk po krenohen vetëm shqiptarët.

Kjo pasi medaljet e arta të fituara nga Krasniqi e Gjakova e kanë bërë për vete edhe kryetarin e komunës së Sanjos në Japoni, Ryo Takizawa.

Madje ai e ka dekoruar zyrën e tij me flamuj të Kosovës dhe ka shkruar se sot ka bërë tifo për xhudisten tonë.

“Urime Nora Gjakovës për medaljen e artë në kategorinë -57 kilogram në xhudo. Sot unë bëra tifo nga zyra me shumë flamuj të Kosovës. Faleminderit edhe Akil Gjakovës dhe Majlinda Kelmendi për luftën e mirë dje”, ka shkruar kryetari i Sanjos në twitter.

Përveç Distria Krasniqit e Nora Gjakovës, medalje të artë olimpike në Xhudo kishte fituar edhe Majlinda Kelmendi në ‘Rio 2016’./Gazeta inFokus/


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?