Lajme

Kriza energjetike – çfarë çmimi paguan Kosova në krahasim me rajonin?

Për momentin Kosova është shteti që e paguan më së liri rrymën e shpenzuar, vetëm 0.06 cent për kilovatë.

Kjo nëse më 1 shkurt, Zyra e Rregullatorit të Energjisë, nuk merr vendimin për shtrenjtimin e energjisë se shpenzuar nga qytetarët.

Ndryshe nga Kosova, tash për tash, rryma më së shtrenjti është në Mal të Zi, me 0.10 cent për kWh, Shqipëria paguan 1 cent më pak, ndërsa Serbia dhe Maqedonia, paguajnë nga 0.08 cent, sipas Eurostat, shkruan Gazeta Insajderi.

Kush do të paguaj më shumë në Kosovë, sipas propozimit të ZRRE

Propozimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji në Kosovë, për ngritje të tarifave të energjisë së shpenzuar elektrike i ka ndarë konsumatorët në pesë kategori: A, B, C, D, E.

Do të thotë, nëse jeni në kategorinë A, pra nëse gjatë një muaji shpenzoni 300 kilovatë orë energji elektrike, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 18.87 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 20.40 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të mbetet e njëjtë: 18.87 euro.

Nëse jeni në kategorinë B, apo gjatë një muaji shpenzoni 450 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 27.37 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 29.66 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të mbetet e njëjtë: 27.37 euro.

Nëse jeni në kategorinë C, që do të thotë se për një muaj shpenzoni 600 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 35.86 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 38.92 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj mbetet e njëjtë: 35.86 euro.

Nëse jeni në kategorinë D, pra nëse gjatë muajit shpenzoni 800 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 47.19 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 74.17 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të jetë: 59.50 euro.

Nëse jeni në kategorinë E, që do të thotë se gjatë muajit shpenzoni 1000 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 58.52 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 109.42 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të jetë: 83.14 euro.

Siç shpjegohet në Raportin Konsultativ të ZRRE-së për Shqyrtimin e Jashtëzakonshëm të Tarifave të Energjisë Elektrike, rritja prek vetëm dy kategori të amvisërive, D dhe E, përkatësisht ata qytetarë që shpenzojnë mbi 800, përkatësisht mbi 1000 kilovatë.

Për kategorinë D, që shpenzon 800 kilovatë orë energji elektrike në muaj, fatura pritet të rritet për 12 euro e 31 centë.

Për qytetarët në kategorinë E, që shpenzojnë 1000 kilovatë orë energji elektrike në muaj, fatura pritet të rritet për 24 euro e 62 centë.

Që rritja e faturave të energjisë elektrike të mos jetë aq e lartë dhe të mos bëhet e papërballueshme për një kategori të qytetarëve, Qeveria e Kosovës ka ndarë një shumë prej 75 milionë eurosh në formë subvencionimi.

Këto subvencione vlejnë edhe për bizneset, të cilat – edhe pas propozimit të ZRRE-së nëse miratohet – nuk do të kenë rritje të tarifave të energjisë elektrike.

Subvencionet e Qeverisë do të shfrytëzohen për një periudhë njëvjeçare.

Faturat me rritje, në rast se propozimi i ZRRE-së kalon, do të fillojnë nga data 1 shkurt, 2022, dhe shqyrtimi i rregullt i tyre pritet të bëhet në muajin mars të vitit 2023.

Në cilën fazë është propozimi i ZRRE-së?

ZRRE-ja ka dalë me propozimin për rritje të faturave më 17 janar, pasi çmimet e energjisë elektrike janë rritur edhe në tregjet evropiane, duke i ndikuar kështu edhe çmimet e importeve të Kosovës.

ZRRE-ja po ashtu ka thënë se gjatë vitit 2021 është shënuar rritje e ndjeshme e kërkesës për energji elektrike – gjë që ka cenuar sigurinë e furnizimit dhe, javë më parë, ka çuar në reduktime.

Propozimi i ZRRE-së aktualisht është në konsultim publik.

ZRRE-ja i ka ftuar të gjitha palët, përfshirë edhe qytetarët, që të dërgojnë komente, korrigjime apo kundër-argumente.

Faza e konsultimit publik do të përfundojë më 28 janar, 2022, në orën 18:00.

Pastaj mbetet që ZRRE-ja ta harmonizojë propozimin e saj me komentet e pranuara dhe ta nxjerrë vendimin final.

Në rast se propozimi miratohet ashtu siç është, fatura e muajit shkurt do t’iu shkojë konsumatorëve me rritje.


SHIKO EDHE: 10 teknologjitë e lashta për të cilat shkenca ende nuk ka përgjigje