Lajme

Krejt çka dihet deri më tani për vrasjen e 30-vjeçarit në Ferizaj

30-vjeçari Gazmend Hyseni mbeti i vrarë në orët e para të së shtunës në Ferizaj. I dyshuari kryesor për vrasjen e 30-vjeçarit është Qëndrim Januzi, vëllai i reperit “Buta”.

Hyseni dhe Januzi sipas raportimeve të deritanishme deri vonë kanë qenë shokë mes vete.

Ndërkohë, që kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, ka thënë se motivet e vrasjes ende nuk dihen sepse nuk janë intervistuar ende dëshmitarët.

Gazmend Hyseni

“Një person është vrarë. I dyshuari është në spital për shkak se i njëjti nuk i është ndalë urdhrave të policisë dhe janë detyruar me gjuajte me armë. Ai është në spital. Motivet e vrasjes ende nuk dihen për shkak se ende nuk janë intervistuar dëshmitarët që kanë qenë në vendin e ngjarjes”, tha ai për Paparacin.

Qëndrim Januzi dhe vëllau i tij “Buta”

Kurse, siç raporton Gazeta Nacionale reperit Butës, vëllait të të dyshuarit për vrasjen e 30-vjeçarit i ishte djegur vetura ditë më parë.

Sipas mediumit i dyshuari për djegien e kësaj veture është tashmë i ndjeri Gazmend Hyseni.

Lexues të Paparacit kanë dërguar video nga momenti kur i dyshuari për vrasjen e 30-vjeçarit kapet nga Policia.

Në videon e dërguar shihet afër edhe një zyrtar i Policisë së Kosovës në rroba civile i cili sipas lexuesve është polici që ka plagosur të dyshuarin.

Si ndodhi ngjarja sipas Policisë?

Policia në njoftimin e sotëm për media ka bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:53 në rrugën “Rexhep Bislimi”.

“Nga hetimet e para, dyshohet se personi me inicialet Q.J ( M/K) i moshës 30-vjeçar, ka shtënë me armë zjarri në personin tjetër me inicialet G. H (M/K) i moshës 30-vjeçar, i cili si pasojë e plagëve nga arma e zjarrit ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, kjo e konfirmuar nga mjekët e spitalit të Ferizaj”, thuhet në njoftim.

E i dyshuari sipas njoftimit të policisë ua ka drejtuar armën zyrtarëve policorë.

“Afër vendit të ngjarjes, një njësi e policisë me automjet zyrtar civil dhe pjesëtarë të policisë me rroba civile, në detyrë zyrtare, kanë vërejtur të dyshuarin me armë zjarri në dorë dhe kanë filluar fillimisht me urdhëra verbal ” ndal policia” që të ndalet, por i dyshuari nuk ka përfillur urdhrat e policisë. I dyshuari me pistoletë në dorë, dyshohet që, në një moment i kthehet zyrtarëve policor dhe njeri zyrtar policor, për ta shmangur rrezikun e drejtpërdrejt ndaj tij, kolegut të tij dhe të tjerëve përreth, e përdor armën e zjarrit zyrtare , me një shkrepje në drejtim të të dyshuarit. I dyshuari, menjëherë dërgohet për ndihmë mjekësore në Qendrën Emegjente në Ferizaj, e më pas për tretman të mëtutjeshëm mjekësor dërgohet në në QKUK – Prishtinë dhe sipas mjekëve, gjendja shëndetësore e tij është stabile dhe jashtë rrezikut për jetën, ndërsa policia i ka marrë masat për sigurinë e tij”, thuhet në njoftim.

Si provë materiale nga vendi i ngjarjes janë konfiskuar dy armë zjarri dhe shtatë gëzhoja.

Gjithashtu, me vendim të Prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion, ndërsa ndaj të dyshuarit Q.J është lëshuar vendimi për ndalim për 48 orë.

Për vrasjen e Gazmend Hysenit ka reaguar reperi Fero. Ai në Instagram ka publikuar një fotografi me të ndjerin.

“Allahu n’xhenet vlla”, shkruan ai./Paparaci.com

Fero dhe Gazmend Hyseni


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?