Lajme

Krasniqi: Qeveria bëri që mësimdhënësit të fillojnë vitin shkollor kokulur, të fyer e të lënduar

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është shprehur i lumtur që nesër do të fillojë viti i ri shkollor, mirëpo tha se ndihet i shqetësuar për modelin e qeverisë që po instalohet.

“Jam shumë i lumtur që fëmijët po kthehen nesër në bankat e shkollës. Mirëpo, jam edhe i shqetësuar për modelin qeverisës që po instalohet”, ka shkruar Krasniqi në Facebook. Sipas tij, qeveria me sulmet e shumta ndaj mësimdhënësve, ka bërë që ata të nisin procesin mësimor kokulur e të fyer.

“Në kohën kur nxënësit do të shkojnë kryelartë në shkollë, Qeveria e Kosovës, përmes sulmeve të shumta, për herë të parë bëri që mësimdhënësit të fillojnë vitin shkollor kokulur, të fyer e të lënduar”, ka shtuar ai.

“E megjithatë, duhet ta rikujtojmë se, përtej propagandës, mësimdhënësit mbeten një ndër kategoritë më të respektuara të shoqërisë sonë. Por, ata meritojnë edhe trajtim të drejtë që e ruan dinjitetin e tyre”, ka shtuar Krasniqi.

Prandaj, sipas tij, kërkesat e tyre, me apo pa grevë, duhet të adresohen dhe të plotësohen sa më shpejt.