Lajme

Kosova radhitet e treta në Ballkan për kah apartamentet më të shtrenjta

Vetëm Kroacia dhe Serbia kanë çmime më të larta të apartamenteve të reja se Kosova ndër shtatë shtete në Ballkan.

Sipas një grafikoni të “Radios Evropa e Lirë” bazuar në Agjencitë për Statistika dhe raportimet e mediave, një metër katror në ndërtesat e reja në Kosovë kushton mesatarisht 1300 euro. Vitin e kaluar, një metër katror në ndërtesat e reja në Kosovë kushtonte 1070 euro mesatarisht. Pra çmimet e banesave të reja janë rritur për 22 për qind nga viti në vit.

Shtrenjtimi ka ndodhur pas ngritjes së çmimeve të materialeve ndërtimore, që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës, në shkurt sivjet.

Ndër 7 shtetet e Ballkanit, vetëm Kroacia me 2270 euro për metër katror dhe Serbia me 1980 ia tejkalojnë Kosovës.

Më së liri në rajon, banesat kushtojnë në Shqipëri, që është vendi me rritjen më të vogël të çmimeve, prej katër për qind. Një metër katror në ndërtesat e reja në Shqipëri kushton mesatarisht 1143 euro. Pak më shtrenjtë kushtojnë në Bosnje e Hercegovinë me 1150 euro mesatarisht. Pasojnë Maqedonia e Veriut me 1240 dhe Mali i Zi me 1270.

Çmimet e pasurive të paluajtshme në Bashkimin Evropian janë 10.5 për qind më të larta në tremujorin e parë të vitit 2022, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2021, sipas të dhënave të Eurostatit.