Lajme

Kosova është mbushur me aparate të lojërave të fatit në fillim të këtij viti

Në një seancë të jashtëzakonshme, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin që ndalon funksionimin e bizneseve të lojërave të fatit për 10 vjetët e ardhshëm, duke shfuqizuar edhe Ligjin e deritashëm për lojërat e fatit.



Ligji i ri që ndalon bizneset e lojërave të fatit, mori 69 vota për, asnjë kundër e asnjë abstenim. Por, paraprakisht në debat ka pasur kundërshtime dhe mospajtime.

Zyra për informim e Doganës së Kosovës ka shpalosur për lajmi.net statistikat e importit të aparatëve të lojërave të fatit në katër vitet e fundit. Në këtë fillim të vit, pra për afro tre muaj, në Kosovë janë importuar aparate gati sa krejt vitin e kaluar. Nga janari 2019 deri para pakë ditëve janë importuar 220 aparat të lojërave të fatit, ndërsa në vitin e kaluar janë importuar gjithsejtë 250. “Në vitin 2017 janë importuar 240. Më shumë janë importuar në vitin 2016, ose fiks 350”, bënë të ditur Dogana e Kosovës për lajmi.net.

Në Administratën Tatimore të Kosovës kanë thënë se në Kosovë nuk ka asnjë biznes të licencuar të kazinove.

Sipas ATK-së, numri i bizneseve të licencuara në veprimtarinë e lojërave të fatit, gjithsej është 46 subjekte: 23 me veprimtari baste, 17 me veprimtari automate dhe 6 me veprimtari bingo. Në veprimtarinë me baste, janë gjithsej 306 njësi të basteve/lokaleve. Në veprimtarinë automate janë gjithsej 133 lokale. Në veprimtarinë bingo janë 6 lokale. Në lojërat e kazinove nuk kemi të licencuar asnjë biznes deri më tani.


Por, ky numër nuk përputhet me të dhënat e Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve (ARBK), ku numri i bizneseve të regjistruara në veprimtarinë e lojërave të fatit është 395, prej tyre 342 biznese aktive dhe 42 të shuara.

Sipas të dhënave në ueb-faqen e ARBK-së, prej bizneseve aktive në këtë fushë, ka të tilla që kanë me dhjetëra njësi/lokale, që përsëri përputhet me të dhënat e ATK-së.

Zyra për informim e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë nuk ka dashur të shpalos informata lidhur me atë se sa biznese të reja të lojërave të fatit janë regjistruar në këtë vit e sa në vitin e kaluar, ku pronarët kanë qenë të huaj.

Ish-kreu Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu, në një prononcim për lajmi.net lidhur me lojërat e fatit është shprehur se Kosova është shndërruar në një hapësirë eksperimentale.

“Është mëse e vërtetë që Kosova është shndërruar në një hapësirë eksperimentale ku ligjet bien shumë më tepër për interes të grupeve të caktuara sesa në interes të shtetit. Është e vërtetë se po dëshmohet çdo ditë e më tepër që Kosovës i mungon një plan zhvillimor nacional ose një strategji zhvillimore”, është shprehur Gërxhaliu.

Gërxhaliu ka shpjeguar gjithashtu se në shtete të ndryshme burimet e financimit vijnë edhe nga lojërat e fatit, mirëpo politizimi dhe kriminalizimi i këtyre lojërave është e pavolitshme.

“Dokumenti i tillë draftohet atëherë i ka shtyllat në të cilat duhet të implementohet dhe ku do të jenë burimet e financimit dhe në këtë drejtim një ndër burimet e shteteve normale është edhe nga lojërat e fatit. Mirëpo në këtë drejtim, fakti që në Kosovë këto lojëra janë politizu, këto lojëra janë kriminalizu vërtetë është një situatë që është mjaftë e pavolitshme”, ka thëne më tutje Gërxhaliu.

Ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mbylljen e lojërave të fatit e kishte cilësuar si një prej vendimeve të mëdha të Qeverisë së tij.

“Çdo ligj e ka koston e vet financiare, sa herë që votojmë një ligj ka edhe koston financiare. Kosto janë të gjitha, edhe ajo që mungon në buxhet. Por, pastaj edhe kalkulimet se çfarë ndodh me atë para, e cila nëse nuk përfundon në këto lojëra, çfarë ndodhë me të? Ajo para në një mënyrë apo tjetër, qarkullon në ekonominë e vendit dhe në mënyra tjera buxheti prapë i ka të hyrat e veta”, ishte shprehur Haradinaj.

Kryetari i Shoqatës së Bizneseve të Lojërave të Fatit, Istref Veliu, ka thënë se vendimi i institucioneve shtetërore për mbylljen e bizneseve të lojërave të fatit, lë të papunë katër deri në pesë mijë persona.

Vendimi për mbylljen e lojërave të fatit vjen pak javë, pasi brenda pak ditësh, në dy kazino në qytete të ndryshme, u vranë dy persona. /Lajmi.net/