Lajme

Kosova drejt fitores së ‘luftës’ me COVID-19, situata po përmirësohet

Rasti i vetëm pozitiv, ishte një rast kontakti nga komuna e Kamenicës me vendbanim në fshatin Poliçkë.

Mbrëmë, vetëm një person ka rezultuar pozitiv me COVID-19, nga 229 mostra të testuara të enjten në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës. Ndërkaq edhe njëzet e tetë persona janë shëruar, sipas njoftimit të IKSHPK-së.

Rasti i vetëm pozitiv, ishte një rast kontakti nga komuna e Kamenicës me vendbanim në fshatin Poliçkë.

“Sot më 07 maj 2020 janë testuar gjithsej 229 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren. Me SARS-CoV-2, është diagnostikuar 1 rast. Rasti pozitiv është rast kontakti nga: komuna e Kamenicës 1 rast (sipas vendbanimit: 1 rast Poliçkë). Sot më 07 maj 2020, janë shëruar 28 pacientë, bazuar në rekomandimet e OBSH-së ku dy mostra rezultojnë negative me së paku një ditë distancë kohore. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 561 raste”, thuhet në njoftim.

Kurse, të enjten u raportua edhe një rast i vdekjes, e gjinisë femër me moshë 63 vjeç nga Plavë-Dragash, e konfirmuar me COVID-19 me datë 24.04.2020, e cila kishte edhe sëmundje tjera shoqëruese.

“Deri më tani nga data 08 shkurt deri më 07 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 9.314 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 861 raste, me 27 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Lajme të mira vijnë edhe nga Klinika Infektive e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ku sot janë të shtrirë vetëm 12 pacientë, prej të cilëve tre pritet të lirohen në shtëpi pasi janë shëruar nga COVID-19.

Infektologu, Valbon Krasniqi ka folur për situatën në Klinikë dhe ka thënë se nga nëntë pacientët që janë të shtrirë, katër kanë dalë negativ në testimin e parë, të cilët nëse edhe në testin e sotëm do të rezultojnë negativ, atëherë do të lirohen për në shtëpi.

Krasniqi po ashtu bëri të ditur se një i moshuar është duke u trajtuar në repartin intensiv të Klinikës Infektive dhe është në gjendje kritike.

“I kemi 12 pacientë të shtrirë në Klinikë, tre do t’i lirojmë sot, kështu që do të kemi 9 pacientë që janë në duke u trajtuar aty. Nga këta 9, i kemi katër pacientë që për herë të parë kanë rezultuar negativ, nëse edhe sot ata rezultojnë negativ, do të kemi në fund të ditës me 4 ose 5 pacientë në klinikë, nëse nuk vijnë ndonjë i ri gjatë ditës. Megjithatë, ende vazhdojmë ta kemi në gjendje shumë të rëndë një të moshuar 77 vjeçar, që është në repartin intensiv të klinikës sonë dhe që përveç COVID-19, ai është edhe në dializë të rregulltë kronike, me vite të tëra dhe gjendja e tij vazhdon të jetë jashtëzakonisht kritike”, tha infektologu Krasniqi.

Ndryshe, komuna e Ferizajt, e cila pati më së shumti raste të të infektuarve, tanimë numëron vetëm nënte pacientë aktiv me COVID-19.

Nga 98 raste të përgjithshme sa kishte të prekur me COVID-19 në këtëë komunë, vetëm nëntë janë ende aktiv, ka bërë të ditur drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Ferizajt, Bekim Ademi, pas rezultatetev të së enjtes ku nga Ferizaj ishin shëruar pesë pacientë.

“Numri i të shëruarve ka shkuar në 87 nga 98 raste sa kanë qenë të prekur me COVID-19. Dy persona nga Ferizaj tashmë kanë ndërruar jetë si pasojë e infektimit me COVID”, tha Ademi në RTV Dukagjini. Edhe fshati Llugagji i Pejës tashmë është larguar nga lista e vendeve që ka banorë të prekur me COVID-19.