Lajme

Konfirmohet nga PDK: Do të shkojmë në takimin e ftuar nga Kurti e Osmani

Lëvizja Vetëvendosje ka dërguar ftesa për tri partitë më të mëdha në vend, për të biseduar rreth konstituimit të institucioneve, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Partia e parë që i është përgjigjur pozitivisht ftesës së liderit të VV-së, Albin Kurti dhe u.d. të Presidentit, Vjosa Osmani është Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Nënkryetari i kësaj partie Memli Krasniqi, ka konfirmuar për Express, se kjo parti do të marrë pjesë të hënën në takimin e thirrur nga Kurti e Osmani.

“PDK-ja do të marrë pjesë në takimin e ftuar të hënën. Si parti kryesore opozitare, qëndrimet tona rreth formimit të institucioneve do t’i bëjmë të njohura në takim”, ka thënë Krasniqi.

“LDK gjithherë ka qenë e hapur për biseda dhe dialog. Nuk jemi barrikaduar si të tjerët dhe nuk i kemi gjuajtur të tjerët me gaz e me mollotov, kur është dashur të bisedojmë. Kuvendi është i të gjithëve, jo vetëm i atyre që janë renditur të parët. Nuk shoh asgjë të keqe nga bisedat për përgatitjen e konstituimit të Kuvendit. por se kur LDK do të jetë e gatshme të marrë pjesë, nuk mund të flas”, ka thënë Mustafa për Kosovapress.

Ndërkohë VV-ja ftesë ka dërguar edhe në AAK.

Nga kjo e fundit ende nuk janë deklaruar nëse do të marrin pjesë apo jo në takimin e thirrur nga Kurti dhe Osmani.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?