Lajme

Konferenca Ndërkombëtare mbi Shëndetin, Mirëqenien, të Drejtat e Fëmijëve dhe Edukimin

Nën patronatin e zyrës së Kryeministrit të Kosovës si dhe Zyrës për Qeverisje të mirë Qendra për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore në bashkëorganizim me Ministrin e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Komunën e Prishtinës si dhe SOS Fshatrat e Kosovës ju mirëpresin në Konferencën e Dytë Ndërkombëtare për Shëndetin, Mirëqenien, të Drejtat dhe Edukimin e Fëmijëve që do të mbahet më datë 1 dhe 2 Qershor 2019 në Prishtinë.



Duke thyer kornizat e konferencave tipike shkencore vetëm me hulumtime, kjo konferencë do përmbajë: Një tryezë diskutimi me politikëbërës dhe pjesëtarë të shoqërisë civile, mbi 40 prezentime orale, kuiz me fëmijë të pesë shkollave fillore dhe fjalime inspiruese nga fëmijë si dhe 9 fjalime kyçe nga profesionistë të dalluar të shkencave sociale dhe shëndetësore:

Dashamir Bërxulli – Prorektor, MSc.Migjen Amzai, Dr. Fitim Uka, Dr. Fatih Koçak, etj.

Konferenca do të nderohet edhe me fjalimet hyrëse të politikë-bërësve në Kosovë:
Ramush Haradinaj – Kryeministër, Kadri Veseli – Kryetar i Kuvendit, Shyqyri Bytyqi – Ministër i Arsimit, Shkencës & Teknologjisë, Uran Ismaili – Ministër i Shëndetësisë, Shpend Ahmeti – Kryetar i Komunës së Prishtinës.

Të gjitha këto aktivitete do të realizohen në lidhje me të drejtat, shëndetin e mirëqenien e fëmijëve në mënyrë që të arrihen qëllimet e pëgjithshme të Konferencës:


– Promovimi i shëndetit të fëmijëve

– Kontributi në përmirësimin dhe ngritjen e vetëdijes për rëndësinë dhe sfidat e shëndetit të fëmijëve

– Promovimi i mirëqenies dhe të drejtave të fëmijëve

– Krijimi i një forumi diskutimi ku do të vendoset theksimi i politikave potenciale për përmirësimin e situatës aktuale në këto tri fusha

– Inkurajimi i bashkëpunimit ndërmjet hartuesve të politikave dhe hulumtuesve për përmirësim të situatës aktuale në këto tri fusha

– Inkurajimi i modeleve më të mira të prindërimit

– Nxitja e debatit shkencor

– Inkurajimi i bashkëpunimit ndërmjet hartuesve të politikave dhe hulumtuesve për të përmirësuar fushën e shkencave shëndetësore

– Lansimi i strategjisë dhe planit të veprimit për të drejtat e fëmijëve 2019-2023 në Republikën e Kosovës.

Konferenca është organizuar në bashkëpunim të ngushtë me një spektër të gjerë partnerësh dhe reflekton konsensusin në shkallën e fushave prioritare për fëmijët, si: Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, SOS Fshatrat e Kosovës, KOMF, Revistën Psika, Qendra për Testim dhe Vlerësim Psikologjik, etj.

Katër punëtoritë që do të zhvillohen me 31 maj në kuadër të Konferencës kanë për qëllim që profesionistët, prindërit, edukatorët dhe studentët të angazhohen në diskutimin më të gjerë dhe të drejtpërdrejtë në lidhje me synimet e konferencës. Temat dhe drejtuesit e këtyre punëtorive janë si në vijim:

1. Prof. Dr. Antje von Suchodoletz: “Roli potencial i matjeve bio-fiziologjike në studimet zhvillimore të fëmijëve dhe shëndetit”.

2. Dr. Jennifer Caldëell: “Të luajmë për të mësuar dhe të mësojmë duke luajtur”.

3. MSc. Ahmet Yalcin Hocaoglu: “Strategjitë/Intervenimet e suksesshme të prindërve me fëmijë me autizëm”.

4. Dr. Ümit Savaş Taşkesen: “Harta e Mendjes dhe përdorimi i saj në të menduarit kreativ, në edukim dhe në jetën e përditshme”.