Lajme

Kompanitë e sigurimeve nuk ju dëmshpërblejnë? Ankohuni online

Në rast se keni bërë një aksident dhe ndonëse nuk jeni fajtor, kompanitë e sigurimeve po ju sorrollasin për dëmshpërblimin, tashmë ka një mënyrë të thjeshtë për tu ankuar.



Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), njofton se duke nisur nga data 18 shkurt 2019, ka filluar zbatimin e një regjistri të ri, si një platformë për depozitimin e ankesave të konsumatorëve. Platforma online e ankesave të qytetarëve krijon mundësinë për çdo konsumator dhe individ të depozitojë problematikën e tij për veprime dhe detyrime që lindin nga aktiviteti i operatorëve ekonomikë, të cilët ushtrojnë veprimtarinë në tregjet financiare jobankare, nën mbikëqyrjen e AMF-së.

Kjo Platformë është një mundësi e re për qytetarët, jo vetëm për të paraqitur shqetësimet e tyre, por edhe për të ndjekur më tej ecurinë hap pas hapi të problematikës së paraqitur, për të arritur deri në zgjidhjen përfundimtare të saj, thotë AMF.

“Fillimi i kësaj Platforme të re është një mundësi më shumë që u ofrohet qytetarëve për të trajtuar dhe zgjidhur problemet e tyre, duke realizuar kështu një nga misionet kryesore të punës së Autoritetit. AMF është e angazhuar dhe ka prioritet të punës së saj, mbrojtjen dhe edukimin e konsumatorit dhe investitorit”, thuhet në njoftim.

SI TË ANKOHENI
Hapi i parë


Klikoni http://amf.gov.al dhe në menunë Mbrojtja e Konsumatorit zgjidhni nënmenunë Trajtimi i ankesave të konsumatorëve.

Zgjidhni opsionin Depozito Ankesë Online për të aksesuar modulin e depozitimit të ankesave online.

Hapi i dytë

Pasi keni klikuar opsionin e depozitimit të ankesave online do ju shfaqet moduli përkatës. Klikoni në njërën nga butonat e Depozito Ankesë për të vazhduar me depozitimin e ankesës suaj.

Hapi i tretë

Ne secilin rast do të shfaqet formulari online ku ju mund të plotësoni detajet tuaja të ankesës.

Të gjitha fushat me * duhen plotësuar, për të patur sa më shumë detaje për zgjidhjen e ankesës suaj.

Pasi të keni dërguar me sukses ankesën tuaj, ju do të merrni një email me konfirmimin e dorëzimit të ankesës suaj dhe një numër reference, e cila do të përdoret për të kontrolluar statusin e ankesës suaj në vazhdimësi.

Për të kontrolluar statusin e ankesës suaj veproni si më poshtë:

Në modulin e depozitimit të ankesës online klikoni butonin Kontrollo Statusin.

Në formën që do të hapet plotësoni sipas udhëzimeve adresën e email që keni vendosur gjatë plotësimit të ankesës, si dhe numrin e referencës që ju është dërguar me email./Monitor