Lajme

Kompania gjermane Eurowings vjen në Kosovë, hapen 300 vende pune

Kosova do të bëhet nikoqir i bazës së parë në Evropën Juglindore për kompaninë prestigjioze Eurowings, pjesë e Lufthansa Group me qasje në Star Alliance, grupi i parë dhe më i madh i linjave ajrore ndërkombëtare.



Këtë e ka paralajmëruar kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit me drejtorin ekzekutiv të kësaj kompanie, Thorsten Dirks.

“I lumtur të kuptoj, përmes Drejtorit Gjeneral të kësaj kompanie, Thorsten Dirks që Eurowings e zgjedhë Kosovën si bazën e saj të për të operuar në rajon dhe për të ofruar mundësi të shumta dhe konkurruese në tregun e aviacionit ajror. Nga ky operim, përveç linjave direkte të reja dhe shtimit të linjave ndërlidhëse, Kosova po shndërrohet në pikë orientuese dhe bazë për zhvillim dhe investime të huaja, me theks të veçantë investimet gjermane”, ka thënë Haradinaj, shkruan FaktePlus.

Kreu i ekzekutivit e ka quajtur lajm të gëzueshëm për qytetarët, por edhe dëshmi e përkushtimit të tyre për rikthimin e besimit për investitorët.

“Ky është një lajm i gëzueshëm për Kosovën dhe dëshmi e përkushtimit tonë të përbashkët për rikthimin e besimit të plotë dhe fuqizimin e partneritetit në mes të Kosovës dhe Gjermanisë, në të gjitha fushat. Lajmi i sotëm, do t’i paraprijë një investimi tjetër që do të rezultojë me hapjen e rreth 300 vendeve të punës, përmes Akademisë që Eurowings dhe Eurokoha, do ta hapin nga muaji shtator 2019, për trajnimin e stafit dhe ekuipazhit”, ka theksuar ai. /FaktePlus