Lajme

Komisionari i BE-së për zgjerim jep një lajm fantastik për liberalizim të vizave

Komisionari evropian për fqinjësi dhe zgjerim, Oliver Varhelyi, ka thënë se mezi presin të punojnë me qeverinë e re në Kosovë.

Ai ka thënë se shpreson se do të shohin më shumë stabilitet politik në periudhën e ardhshme, si dhe Kosova të mund të përshpejtojë procesin e reformës.

“Shpresojmë të shohim më shumë stabilitet politik në periudhën e ardhshme, në mënyrë që Kosova të mund të shpejtojë procesin e reformës, përfshirë në fusha të tilla si sundimi i ligjit dhe zhvillimi socio-ekonomik. Ne do të vazhdojmë të mbështesim Kosovën në agjendën e saj evropiane”, ka thënë komisioneri Varhelyi.

Ai gjatë “Forumit Ekonomik të Tiranës”, i cili është duke u mbajtur online ka folur edhe rreth procesit të vizave për qytetarët e Kosovës.

“Në lidhje me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, Komisioni vlerëson se të gjitha kushtet janë përmbushur. Sidoqoftë, jo të gjitha shtetet anëtare janë bindur ende. Prandaj, ne inkurajojmë autoritetet e Kosovës t`i drejtohen vendeve anëtare të BE-së për të adresuar shqetësimet e mbetura”, ka thënë Varhelyi.

Duhet theksuar se Kosovës i është thënë edhe më herët se ka plotësuar kriteret për viza, por liberalizimi nuk kaloi filtrat e nevojshëm.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?