Lajme

Kjo është gjendja e rrugëve në këtë komunë

Komuna e Ferizajt ka apeluar tek qytetarët që të shtojnë kujdesin në qarkullimin rrugor si dhe të shmangin frekuentimin në zonat malore pas reshjeve të fundit, shkruan Gazeta Sinjali.

Përmes një njoftimi në Facebook, komuna ka treguar se të gjitha kompanitë e kontraktuara për pastrimin e rrugëve nga bora janë në terren me të gjitha kapacitetet dhe makineritë e tyre.

“Të dashur qytetarë! Reshjet e pandërprera të borës nga mëngjesi i sotëm po shkaktojnë vështirësi në qarkullimin rrugor, megjithëse që nga mëngjesi të gjitha kompanitë e kontraktuara të Komunës së Ferizajt për pastrimin e rrugëve nga bora janë në terren me të gjitha kapacitetet dhe makineritë e tyre. Vështirësi për të operuar në pastrimin e rrugëve nga bora, po paraqesin edhe numri i madh në qarkullim i veturave veçanërisht në qytet, por megjithatë ekipet përkatëse po intervenojnë vazhdueshëm në mirëmbajtjen e rrugëve”, thuhet në njoftimin e komunës.

Tutje, komuna ka bërë të ditur se asnjë aks rrugor në Ferizaj nuk është i pakalueshëm apo bllokuar.

“Nga raportimet e terrenit, ndonëse me vështirësi të caktuara, asnjë aks rrugor në Ferizaj nuk është i pakalueshëm apo bllokuar. Reshjet e borës po bien pa ndërprerë, me intensitet të shtuar si në gjithë vendin, reshje që pritet të vazhdojnë deri në orët e vona të mbrëmjes së sontme, andaj apelojmë tek ngasësit e veturave dhe qytetarët që të shtojnë kujdesin në qarkullimin rrugor si dhe të shmangin frekuentimin në zonat malore ku mund të paraqiten rreziqe eventuale”, thuhet në njoftimin e komunës.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?