Lajme

Kjo është gjendja e 36-vjeçarës që u ther 15 herë me thikë nga burri

Me mbi 15 plagë në trup, 36-vjecarja Q.R nga fshati Klinë e Poshtme e Skenderajt mëngjesin e së mërkurës erdhi në Qendrën Emergjente në Prishtinë.

Kjo pasi ajo u goditë me thikë në gjoks, bark, duar dhe këmbë nga bashkëshorti i saj, 39-vjeçar F.R.

Edhe pas gjashtë ditëve nga kjo ngjaje, ajo po vazhdon të marrë trajtim në Klinikën e Kirurgjisë Plastike në QKUK-së.

Detaje për gjendjen shëndetësore të saj kanë dhënë për Gazetën Objektiv, dy mjekë të kësaj klinike.

Specialisti i Kirurgjisë Plastike, Ylber Zejnullahu thotë se Q.R, kishte plagë të shumëfishta pothuajse në të gjitha pjesët e trupit.

“Plagët i ka pasur të shumëfishta, në regjione të ndryshme të trupit. Ato plagë ne i kemi cilësuar si plagë prerëse dhe shpuese që zakonisht bëhet me mjet të prehtë. Plagët kanë qenë në të dy parakrahët, në gishtin e katërt të dorës së djathtë, në gjoks, në gji, në të dy këmbët. Diku i ka pasur mbi 15 plagë fillestare që kemi mund me i identifikuar. Plagë ka pasur po ashtu në lëkurë dhe nën lëkurë”, tregon Zejnullahu.

Ai madje thotë se vetëm pas disa muajsh Q.R do të mund të rikuperohet tërësisht.

“Plagët për t’iu shëruar ndoshta do të shkojnë edhe një muaj e gjysmë dy, për tu rikuperuar të gjitha që me mundur me pas funksionim të lëvizshmërisë së funksionit të dorës. Kryesisht plagët më të mëdha i ka në duar”, tha mes tjerash Zejnullahu.

E, kirurgu plastik i kësaj Klinike, Agim Berisha thotë se ajo është trajtuar edhe nga psikiatri, lidhur me gjendjen e saj psikologjike.

“Gjendja e pacientes për momentin është stabile, është komunikatave me parametra stabil të analizave të gjakut. Terapinë me antibiotik është duke e marrë. E kemi konsultuar edhe psikiatrin. Pacientja është duke u rikuperuar. Po mendojmë gjatë javës me trajtuar në mënyrë ambulatore”, tha Berisha për Objektiv.

Në anën tjetër, në të njëjtën ditë kur kishte ndodhur ngjarja, policia e Kosovës ka arrestuar bashkëshortin e saj F.R i cili tanimë ndodhet në paraburgim me vendim të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.

Rasti është duke u hetuar si “Vrasje në tentativë”.

Kështu i kanë bërë të ditur për Gazetën Objektiv nga ky institucion.

“Kërkesa për caktimin e paraburgimit të cilën e ka bërë Prokuroria Themelore në Mitrovicë është aprovuar nga gjykata. Lënda është në punë”, i ka thënë Objektivit, zëdhënësi i Gjykatës Themelore, Valon Preteni.