Lajme

Kjo është data kur mund të shkojmë në bregdetin shqiptar!

Të shumtë janë kosovarët të cilët pushimet verore i kalojnë në Shqipëri, e sidomos në Durrës.

Mirëpo, për shkak të situatës me COVID-19, pushimet e kësaj vere janë ende në pikëpyetje.

Megjithatë, Shqipëria duket se është gati për sezonin turistik.

Nënkryetari i Bashkisë së Durrësit, Florian Tahiri, ka treguar se Durrësi është gati për të pritur turistët kosovarë prej datës 15 qershor

Tahiri tha se situata në Shqipëri është drejt stabilizimit. Si theksoi se janë duke u bërë përgatitjet për sezonin turistik.

“Në përgjithësi situata në Shqipëri është drejt stabilizimit. Ne si bashki jemi duke bërë përgatitjet për sezonin e ri turistik, të hënën me datën 18 hapen të gjitha baret dhe restorantet. Të gjithë janë duke bërë riparimet e vogla dhe punimet paraprake për të pritur turistët”, ka thënë Tahiri.

“Jam besimplotë se kufijtë në mes Shqipërisë dhe Kosovës do të hapen me siguri, ndërsa sa iu përket masave nga ana e bashkisë së Durrësit ne kemi filluar me pastrimin e plazhit. Çdo gjë është gati, shumë shpejt do të fillojë edhe përpunimi i rërës. Janë kryer edhe parcelizimin e plazhit duke vendosur tiketat ku janë plazhet publike dhe private. Janë duke u përgatitur masat nga ana e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të cilat po merren pikërisht me masat sa u përket të gjithë operatorëve turistikë që duhet të respektohen. Duke filluar edhe nga distancomi social”, ka deklaruar nënkryetari i Bashkisë së Durrësit për Gazetën Express.

Ai tha se nuk presin numër të madh të turistëve si në vitet tjera, për shkak të pandemisë me COVID-19.

“Numri i turistëve nuk do të jetë si në vitet e tjera, pasi pandemia është problem global. Por, sidomos me ardhjen e shqiptarëve të Kosovës do të jetë një sezon i suksesshëm për kushtet që jemi. Është herët për të dhënë statistika sepse situata është e tillë, por përveç vëllezërve tanë nga Kosova të cilët mezi po i presim, kanë konfirmuar disa hotele se edhe nga vendet skandimave apo baltike por edhe Bjellorusia dhe Ukraina, kanë konfirmuar prenotimet në Durrës. Me 15 qershor besojmë se do të hapet sezoni turistik në Durrës”, ka thënë Tahiri.

Ai tha se Durrësi është duke iu kthyer normalitetit sa i përket situatës me COVID-19.

“Për një periudhë prej më shumë se dy javë nuk ka qenë asnjë i infektuar. Durrësi ka pasur 5 raste me vdekje nga COVID-19. Në qytetin tonë janë respektuar masat dhe s’ka pasur shumë probleme”, deklaroi Tahiri.