Lajme

KFOR i çon mesazh Serbisë: Jemi të gatshëm për ndërhyrje nëse rrezikohet veriu

KFOR-i ka konfirmuar se situata në veri të Kosovës është e tensionuar.

Në një komunikatë të lëshuar nga KFOR-i është thënë se është duke monitoruar nga afër situatën dhe është i përgatitur të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti.

“Situata e përgjithshme e sigurisë në komunat veriore të Kosovës është e tensionuar. Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO po e monitoron nga afër situatën dhe është i përgatitur të intervenojë nëse stabiliteti rrezikohet, në përputhje me mandatin e vetë, që vjen nga Rezoluta 1244 e Kombeve ë Bashkuara. KFOR-i është plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij të OKB-së për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për gjithë popullin e Kosovës”, është thënë në komunikatë.

Është thënë se komandanti i KFOR-it është në kontakt me gjithë bashkëbiseduesit kryesorë, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe shefin e Shtabit të Mbrojtjes së Serbisë.

“NATO po ashtu vazhdon të përkrahë procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Prishtinës e Beogradit nëpërmjet dialogut të ndihmuar nga BE-ja dhe i fton gjitha palët të vazhdojnë negociatat. Është e rëndësishme që kjo të vazhdojë. Është kritike për paqen dhe sigurinë rajonale. Dialogu konstruktiv është kyç për stabilitetin në rajon. KFOR-i do të marrë gjitha masat e nevojshme për të mbajtur një ambient të sigurtë në Kosovë gjatë gjithë kohës, në përputhje me mandatin e tij nga OKB-ja”, thuhet në komunikatë.