Lajme

Këshilltari i Thaçit- eurodeputetes gjermane: Na liberalizoni vizat, do t’ju marrim seriozisht pastaj

Artan Behrami, këshilltari i presidentit Hashim Thaçi, e ka vënë në shënjestër të kritikave të tija raportuesen për Kosovën, Viola von Cramon Taubadel, që kur kjo e fundit ka kundërshtuar hapur mocionin e LDK’së për rrëzimin e Qeverisë Kurti.

I ashpër Behrami është treguar edhe me letrën që von Cramon bashkë me disa bashkëpartiak i kanë nisur presidentit Thaçi, e ne të cilën shprehin shqetësime rreth mocionit që rrëzoi Albin Kurtin, dialogut me Serbinë dhe rreth cështjes së shkëmibmit të territoreve.

Këshilltari i Thaçit në reagimin e tij ndaj deputetes gjermane, ka thënë se mocioni i mosbesimit është një zhvillim demokratik, ndërkohë ka thënë se ndërhyrjet e partive poltike nga jashtë përbëjne shkelje të rendit të brendshëm kushtetues të Kosovës.

“Mocioni i mosbesimit për qeverinë Kurti është zhvillim demokratik dhe vullnet politik i 2/3 të deputetëve. Cfarëdo reagimi nga partitë politike nga jashtë është pengim i demokracisë dhe mosrespektim total i rendit të brendshëm kushtetues të Kosovës”, ka shkruar Behrami.

Tutje ai i ka thënë eurodeputetes gjermane që mund të jetë kundër amerikanëve, por i ka thënë se për një gjë të tillë nuk mund ta përdorë popullin e Kosovës. Sa i përket shqetësimve për shkëmbimine territoreve, Behrami ka thënë se është një trillim që po e thotë von Cramon, raporton Gazeta Express.

“Ju mund t’i luftoni amerikanët nëse përnjëmend e keni potencialin dhe mundësinë, por bëjeni në oborrin tuaj sepse nuk mund ta përdorni popullin e Kosovës kundër amerikanëve. Sa më shumë që mundoheni ta sillni në tavolinë çështjen e shkëmbimit të territoreve, aq më qësharak tingëlloni. Trillim i juaji”, ka shtuar tutje ai.

Në fund Behrami ka thënë se në vend që të humbet kohë duke u përzier në punët e brendshme të Kosovës, von Cramon duhet të kujdeset që të bind shtetet e Bashkimit Evropian për t’ia heq Kosovës liberalizimin e vizave. Këshilltari i Thaçit ka thënë se mbase atëherë kosovarët do t’i marrin me seriozitet shqetësimet e ngritura.

“Para se të humbisni kohë duke u përzier në çështjet tona të brendshme demokratike dhe të tregoni mosrespekt ndaj deputetëve të zgjedhur, sigurohuni që t’i bëni vendet tuaja të përmbushin premtimin e liberalizimit të vizave. Ndoshta atëherë kosovarët ju marrin seriozisht”, ka përfunduar Behrami.