Lajme

Këshilltari i Thaçit: A e din kush pse ka shkuar sot Hoti në Bruksel, nuk e përfaqëson as fshatin e tij

Adil Behramaj këshilltari i Presidentit të vendit, Hashim Thaçi ka shtruar disa pyetje lidhur me shkuarjen e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti në Bruksel për takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Behramaj ka shkruar se pse ka shkuar sot Hoti në Bruksel, përcjell Gazeta Insajderi.

“A e dini kush pse ka shkuar sot Avdullah Hoti në Bruksel dhe çfarë po kërkon atje? Pa mandat të Kuvendit. Pa unitetit dhe konsensus politik. Pa platformë të dialogut. Pa transparencë publike. Pa grupin e ekspertëve. Pa koordinim dhe pëlqim të partnerëve qeverisës”, ka shkruar Behramaj.

Këshilltari i presidenti ka thënë po ashtu se “Avdullah Hoti nuk mund ta përfaqësojë as LDK-në, se lëre më Kosovën. Si i vetëm nuk e përfaqëson dot as fshatin e tij!Në ditën kur presidenti i vendit po intervistohet për shpifjet e regjimit serb, Avdullah Hoti ka zgjedhur t’i zgërdhihet Vuçiqit në Bruksel. Ky paska qenë ekipi i unitetit për të cilin na fliste!”.

Ndër tjera Behramaj ka shkruar se kryeministri Hoti nuk e ka thënë asnjë fjalë të vetme për presidentin përvec që ka uruar ekipin e futbollit anglez Liverpool për fitore.

“Që nga 24 qershori kur u anulua takimi i Uashingtonit për shkak të publikimit të çuditshëm të propozim-aktakuzës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, Avdullah Hoti nuk e ka thënë as një fjalë të vetme në përkrahje të presidentit, ndonëse ai gjeti kohë ta uronte edhe Liverpoolin. Edhe pse distanca në mes Zyrës së Presidentit dhe Zyrës së Kryeministrit nuk është as 50 metra, ai nuk e mori mundin më asnjëherë që të vinte dhe ta takonte. Jo vetëm për t’u koordinuar, por as për ta shprehur një solidaritet krejtësisht njerëzor! Nuk e paskemi ditur, por Avdullah Hoti qenka tërësisht i amputuar nga ndjenjat e patriotizmit!”, ka shkruar Behramaj. /Insajderi.org


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?