Lajme

Këshilli i Prindërve paralajmëron veprime nëse nuk ndalet greva – nuk e përkrah çfarëdo ideje tjetër

Në një komunikatë për media të lëshuar të shtunën, Këshilli i Prindërve i Prishtinës pohoi se përderisa mësimdhënësit janë në grevë, ata nuk e mbështesin idenë që prindërit të organizojnë procesin arsimor.

Këshilli ka kërkuar që mësimet të fillojnë dhe nëse nuk e bëjnë, ata kanë kërcënuar se do ta shfryjnë pakënaqësinë e tyre në mënyra të tjera. Pas mbledhjes që zhvilloi sot, ku u diskutua për rrethanat e shkaktuara nga greva, Këshilli i bëri të ditura opinionin publik këto qëndrime.

Komunikata e plotë në Facebook:

Këshilli i prindërve të K. Prishtinës, sot, me datën 10.09.2022 mbajti mbledhjen e radhës për të diskutuar lidhur me gjendjen e krijuar për shkak të mos fillimit të procesit mësimor dhe tejkalimin e saj. Njoftojmë opinionin, se që nga fillimi i grevës, ne me shqetësim të thellë kemi përcjellë zhvillimet që kanë ndodhur, dhe kemi organizuar takime me prindër dhe me akterët tjerë me qëllim që të filloj procesi mësimor sa më shpejt.

Nga diskutimi i zhvilluar sot në mbledhje, u nxorën këtë konkluzione:

1. Këshilli i prindërve të komunës së Prishtinës, si organ i pavarur, është thellësisht i shqetësuar për mos fillimin e procesit mësimor, dhe konsideron se çdo orë mësimore e humbur është e pazëvendësueshme dhe shkakton dëme të pariparueshëm për nxënësit;

2. Lusim palët e përfshira, që të arrijnë urgjentisht një marrëveshje, e cila do të mundësonte fillimin e procesit mësimor sa më parë;

3. Deklaratat e personave, që nuk janë pjesë e Këshillit të prindërve nuk mund të paraqesin qëndrimin e këshillit, që d.m.th., se ne nuk përkrahim idenë/thirrjen, “se prindërit duhet të futen në shkolla dhe të mbajnë procesin mësimor”.

4. Informojmë të gjithë akterët e përfshirë , se nëse procesi mësimor nuk do të fillojë së shpejti, këshilli i prindërve të Komunës së Prishtinës do të shpreh pakënaqësitë e tij në forma të tjera, në përputhje me kompetencat dhe përgjegjësit që i takojnë.

Fëmijët – Drita e syve tanë! Mësuesi/ja – Prindi i dytë për fëmijë!