Lajme

Karaçeva e bën “Rrugën e Mediave” si falënderim për punën e gazetarëve

Rruga prej kthesës së Novosellës deri të rruga e Breznicës tash e tutje do të quhet “Rruga e Mediave”.

Emërtimi i ri i rrugës është bërë me vendim të bashkësisë lokale të fshatit Karaçevë e poshtme, që është në brez kufitar me Serbinë.

“Ne kemi njoftuar si bashkësi lokale kryetarin e Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, nënkryetarin e komunës, Faton Jakupi, kryesuesin e kuvendit, Liridon Kastrati, si dhe drejtorin e shërbimeve publike, Zotrim Kastrati, për këtë emërtim të rrugës. Këto institucione janë në dijeni dhe ne si bashkësi lokale kemi nënshkrimet e banorëve të brezit kufitar Karaçevë e poshtme”, thuhet në njoftimin e bashkësisë lokale.

Tabelat me emrin e ri të kësaj rruge janë vendosur sot poshtë tabelave ku shkruan Karaçevë e ku po ashtu janë vendosur edhe flamujt e Kosovës, Shqipërisë dhe ShBA-së.


SHIKO EDHE: 10 teknologjitë e lashta për të cilat shkenca ende nuk ka përgjigje