Lajme

Kamerat nga lista e zezë e SHBA-së mbikëqyrin Qeverinë e Kosovës

Qeveria e Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit mbikëqyren nga kamerat e sigurisë, të cilat janë në atë që njihet si lista e zezë e Shteteve të Bashkuara.

Bëhet fjalë për kamerat e kompanive kineze Dahua dhe HikVision. Këto kamera, sipas fotografive që i ka siguruar REL në janar të vitit 2022, janë të vendosura edhe në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, si dhe në Ministrinë e Shëndetësisë.

Sheshet kryesore të Prishtinës – “Skënderbeu”, “Nëna Terezë” dhe “Zahir Pajaziti” mbikëqyren po ashtu nga kamerat që prodhon kompania HikVision.

Radio Evropa e Lirë ka arritur të shohë se kamera të sigurisë të llojit Dahua janë të vendosura edhe në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë.

Sipas Departamentit amerikan të Tregtisë, Dahua Technology dhe HikVision gjenden në listën e zezë të SHBA-së qysh nga vitin 2019, për shkak të, siç thuhet, ndërlidhjes së tyre me shkeljet e të drejtave të njeriut në Kinë, përkatësisht me represionin që u bën Pekini ujgurëve myslimanë në provincën Ksinjiang.

Në qershor të vitit 2021, administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, e ka zgjeruar urdhrin e ndalimit për këto kompani, duke i stopuar investimet amerikane në to.

Kamerat e këtyre kompanive duket se qarkullojnë lirshëm në tregun kosovar dhe se përdoren nga institucionet publike.

Siç shihet nga dokumentacioni, këto kamera kanë edhe opsionin e njohjes së fytyrës.

Objekti i Qeverisë së Kosovës gjendet në qendër të Prishtinës dhe përskaj shesheve kryesore të kryeqytetit.

Disa kamera të vendosura jashtë objektit janë të drejtuara në oborr të tij, ndërsa kamera të tjera mbikëqyrin sheshin Nënë Tereza, ku qytetarët kalojnë lirshëm.

Në kamera shkruajnë qartazi emrat e brendeve HikVision dhe Dahua.