Lajme

Kamera kap një tufë derrash të egër në Gërmi

Një tufë derrash të egër është incizuar teksa lëvizte në Parkun e Gërmisë në Prishtinë në fund të muajit nëntor.



Grupi i adhuruesve të botës së egër, që mblidhen në faqen “Gërmia Park Wildlife” në Facebook, ka thënë se kjo video tregon suksesin e Komunës së Prishtinës dhe Drejtorisë së Parqeve pas ndalimit të gjahut në Parkun e Gërmisë.

“Pothuajse pas dy viteve me ndalesën e gjahut në Parkun e Gërmisë, si duket Parku ka filluar ta marrë veten. Në video shihet një familje derrash të egër, që në Parkun e Gërmisë, ka qenë gati krejtësisht e zhdukur. Gjatë një viti në asnjë rast nuk kemi hasur në tufa të derrit të egër, sepse të gjitha videot që kemi arritur të kapim me kamerën kurth gjithmonë kemi has vetëm në një derr. Kjo nënkupton që numri i tyre ka qenë në rrezik zhdukjeje, kur dihet që derrat nuk jetojnë vetëm”, ka shkruar “Gërmia Park Wildlife” në Facebook.

Loading...

Sipas përshkrimit, videoja është bërë larg shtegut të ecjes në Gërmi dhe s’paraqet rrezik, “të paktën derisa numri i tyre vazhdon të jetë i vogël”.

Në fund ky grup, ka thënë se shpreson që kjo video nuk do bëhet shkak që keqbërësit të vërsulen drejtë Parkut në kërkim të derrave, kur dihet që gjuetia në Parkun e Gërmisë është e ndaluar me ligj.


Loading...