Lajme

Janë veç dy opsione, reduktime të ashpra ose rritje të çmimit

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli në seancën e jashtëzakonshme për shtrenjtimin e energjisë, tha se Kosova si shtet nuk ka kapacitete të mjaftueshme për të prodhuar energji elektrike që konsumohet, sidomos gjatë dimrit dhe çmimit të lartë të importit.

Ministrja Rizavanolli theksoi se në situatën në të cilën ndodhet Kosova, ekzistojnë vetëm dy opsione, reduktime të ashpra ose rritje të tarifave.

“Që nga viti 2017 kur është hequr bllok tarifa, ne konsumojmë më shumë energji elektrike vit pas viti. Ne si shtet nuk kemi kapacitete të mjaftueshme për të prodhuar energjinë që konsumojmë, sidomos gjatë dimrit ne varemi nga importi. Gjatë muajt dhjetor, janar e deri tani kemi importuar rreth 10 përqind të energjisë. Evropa, tani edhe Kosova po përballen me një krizë të jashtëzakonshme. Varësia jonë nga importi nuk ka qenë problem derisa çmimet kanë qenë 6 deri 9 centë për KWH… Sistemi ynë energjetik është pran kolapsit, nga këto dallime në çmimin e blerjes dhe shitjes janë akumuluar rreth 100 milionë euro borxhe në sistem. Ne jemi shteti më i varfër në Evropë, por prodhuesit dhe qytetarët nuk na pyesin për këtë. Këto janë fakte të dhimbshme, por duhet të jemi të sinqertë me veten dhe qytetarët dhe janë dy opsione, reduktime të ashpra ose rritje të tarifave. Pajtohemi të gjithë që reduktimet janë opsioni më i keq për qytetarët dhe ekonominë e vendit”, tha ajo.

Ministrja e Ekonomisë më tej theksoi se Qeveria nuk e ka mundësinë për të refuzuar kërkesën apo propozimin e një institucioni të pavarur siç është Zyra e Rregullatorit të Energjisë, derisa shtoi se shteti ynë nuk është i vetmi në këtë krizë.

“Çfarë mund të bëjmë ne, është ajo që e kemi bërë tani në mënyrë pro aktive. Kemi zotuar subvencion, i cili e zbutë ndikimin tek të gjithë konsumatorët dhe te bizneset… Në këtë krizë nuk jemi të vetmit, çmimet në vendet e rajonit janë rritë rreth 10 përqind pavarësisht faktit që kanë ndarë qindra miliona euro, e mbi 40 përqind pritet të rriten në pranverë në Britani e Turqi”, ka thënë më tej ajo.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?