Lajme

Ja si mund të lirohet me kusht Thaçi

Drejtori ekzekutiv i Odës Ndërkombëtare të Avokatëve, me seli në Londër, Mark Ellis, ka thënë se nëse Gjykata Speciale konstaton se prokurori është duke i neglizhuar me qëllim detyrimet dhe obligimet e tij, kjo do të shkonte në favor të zotit Thaçi që të lirohej me kusht, shkruan Gazeta Metro.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kohë deri më 17 dhjetor të këtij viti, që të dorëzojë në gjykatë dosjen për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Lidhur me këtë çështje për Radio Evropa e Lirë ka folur drejtori ekzekutiv i Odës Ndërkombëtare të Avokatëve, me seli në Londër, Mark Ellis.
Ai ka thënë se Prokuroria, mund të mbahet përgjegjës për vonesën si dhe ka folur rreth lirimit me kusht të ish-presidentit Hashim Thaçi.

“Nëse Gjykata konstaton se prokurori është duke i neglizhuar me qëllim detyrimet dhe obligimet e tij, kjo do të shkonte në favor të zotit Thaçi që të lirohej me kusht. Dhe, po ashtu, Gjykata do ta mbante përgjegjës prokurorin për çdo vonesë të mëtejshme”, ka thënë Ellis.

Ellis ka thënë se, sipas ligjeve ndërkombëtare, gjithkush gëzon të drejtën që të gjykohet brenda një afati të arsyeshëm kohor dhe se çdo vonesë e Prokurorisë në procedim të rastit është po ashtu shqetësim për Gjykatën.

“Gjykata do të jetë shumë më shumë e shqetësuar nëse rasti zvarritet, zvarritet dhe zvarritet dhe, në të njëjtën kohë, zoti Hashim Thaçi mbahet në qendrën e paraburgimit në Hagë”, thotë Ellis.

Ndërsa avokati mbrojtës i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Gregory Kehoe, ka thënë se vonesat në dorëzimin e materialeve nga ana e Prokurorisë, kanë të bëjnë me faktin se, sipas tij, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka ngritur aktakuzë pa qenë e gatshme për këtë proces.
“Arsyet janë të ndryshme, por numër një është se ata [Zyra e Prokurorit të Specializuar] kanë ngritur aktakuzë përpara se të jenë gati. Klientët tanë janë në paraburgim që nga nëntori i vitit të kaluar, më shumë se një vit, dhe kur Prokuroria ka ngritur aktakuzën, ata kanë thënë se do të jenë gati për ta gjykuar këtë rast në pranverën e vitit 2021”, ka thënë Kehoe për REL.

Sipas tij, Zyra e Prokurorit të Specializuar do të duhej t’i ndante dokumentet sipas procedurës shumë kohë më parë.

“Ata ende nuk janë gati ta bëjnë këtë. Ata ende nuk i kanë dorëzuar të gjitha dokumentet dhe vazhdimisht kanë kërkuar kohë shtesë për të dorëzuar atë që do të duhej të ishte dorëzuar shumë kohë më parë, marrë parasysh faktin se, vitin e kaluar, kanë thënë para gjykatës se do të jenë gati të procedojnë në pranverë”, u shpreh Kehoe.

Ai ka thënë se shumë dokumente të Prokurorisë janë të redaktuara tej mase dhe se vështirë kuptohet se për çfarë flasin dëshmitarët.
“Shumë shpesh kur kemi deklarata të dëshmitarëve që janë të redaktuara në mënyrë të rreptë, është shumë e vështirë për mua dhe stafin tim, si dhe për njerëzit që i rishikojnë këto informacione, të kuptojnë plotësisht atë se çfarë dëshmitari është duke thënë. Shumë, shumë e vështirë”, ka thënë Kehoe.

Në konferencën e fundit statusore, që është zhvilluar më 29 tetor, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka konfirmuar se ka rishikuar me kujdes resurset njerëzore dhe se më 17 dhjetor do të dorëzojë dosjen paraprake.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, dhe ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, akuzohen nga Dhomat e Specializuara për vepra të rënda penale, si krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza e Prokurorisë i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin për veprat penale që lidhen me krime lufte, si: ndalim i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë e personave dhe përndjekje.
Sipas Dhomave të Specializuara, këto krime janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit, 1999.


SHIKO EDHE: 10 teknologjitë e lashta për të cilat shkenca ende nuk ka përgjigje