Lajme

Ja sa do të jetë kësti mujor dhe kohëzgjatja e pagesës për banesat sociale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë sot në një organizim ku është diskutuar për realizimin e premtimit për banimin social. Kurti ka thënë se do të bëjnë përpjekje për përmbushjen e një premtimi të tillë brenda mandatit, derisa ka shpjeguar edhe mënyrën e funksionimit të pagesave dhe kohëzgjatjen e kësteve.

Kurti ka treguar se programi i banimit social do të organizohet përmes skemës 120×120 dhe 150×150 ku do të përfshihen 4 mijë familje të cilat mund të përfitojnë.

Këstet për pagesën e banesave do të variojnë nga 120 dhe 150 euro dhe kohëzgjatja e pagesës do të jetë maksimumi 120 deri 150 muaj.

“Kryeministri theksoi se brenda mandatit, ne synojmë të krijojmë programin për banim social, si dhe të mundësojmë banim të përballueshëm për 4 mijë familje. Kjo do të arrihet përmes skemës “120×120” dhe “150×150”, ku familjet përfituese do të bëhen pronarë të banesave me këste mujore prej vetëm 120 respektivisht 150 eurove maksimumi dhe për një periudhë kohore prej jo më shumë se 120, përkatësisht 150 muajve. Kostoja vjetore e këtij projekti është rreth 22 milionë euro, mirëpo kjo shumë gradualisht i kthehet institucionit, i cili do të themelohet dhe ngarkohet me zbatimin e projektit”, thuhet në njoftimin e Zyrës për Media të Kryeministrisë.