Lajme

Ish-polici rus dënohet me burgim të përjetshëm, i vrau 56 persona

Një ish-polic nga Siberia, i cili po vlerësohet si vrasësi serik më i rrezikshëm i kohëve moderne, është dënuar për të dytën herë me burgim të përjetshëm, pasi u shpall fajtor për vrasjen e 55 grave dhe një polici.

Raportohet se Mikhail Popkov, 53-vjeçar, i kishte vrarë 55 gra dhe një polic afër qytetit Irkutsk. Ai tashmë ndodhej në burg për 22 vrasje tjera, duke u shpallur fajtor për gjithsej 78 vrasje. Ai i ka prerë gratë me sopatë pasi iu ofronte bartje me veturë në orët e vona të natës.

Besohet se dhjetë prej viktimave të tij edhe i kishte dhunuar, ndërsa në tri raste ai e kishte kryer krimin duke qenë në detyrë me veturën e policisë.

Ai ishte zbuluar pasi shenjat e ADN-së së tij u gjetën në veturën e përdorur për t’i kryer krimet. Të gjitha viktimat, përpos policit të vrarë, ishin femra të moshës 16 deri 40-vjeçare. Vrasjet kishin ndodhur përgjatë një periudhe të gjatë kohore, nga viti 1992 deri në vitin 2007.

Krimet kishin ndodhur afër qytetit Irkutsk, ndërsa për vrasje krimineli përdorte një sopatë dhe një çekan. Pasi i vriste viktimat, ai i linte trupat në pyll, pranë rrugës dhe në varreza. Ai kishte deklaruar se e ka “pastruar” qytetin nga gratë e pamoralshme, shkruan “BBC”.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?