Lajme

Ish-këshilltari i Isa Mustafës: Kadri Veseli, i vetmi lider që ka guxim ta luftojë korrupsionin

Analisti politik Faton Abdullahu, i cili në kur Isa Mustafa ishte kryeministër, kishte qenë këshilltar i tij, ka deklaruar se Kosova ecë drejt kur bëhet pjesë e luftës globale kundër korrupsionit, të cilën e ka nisur Amerika dhe presidenti Donald Trump, por këtë luftë në vendin tonë nuk mund ta bëjë një parti e vogël, një parti hezituese, që nuk është në institucione dhe që nuk ka platformë të mirëfilltë.

Abdullahu ka thënë për KosovaPress se Kosova si tërësi dhe gjithë rrugëtimi i saj është i ndërlidhur edhe me gjeo-politikën euroatlantike dhe konkretisht me gjeo-politikën amerikane, prandaj amerikanët janë shumë të interesuar që Kosova të vazhdoj të jetë storie suksesi.

Sipas tij, për të qenë e tillë ajo ka para vetës dy gjëra shumë të mëdha: dialogun me Serbinë dhe korrupsionin.

“Sa i përket dialogut me Serbinë pothuajse pak a shumë gjitha partitë tona politike edhe gjatë kësaj fushate po e thonë se janë të një goje, të një mendimi, të mos ketë shkëmbim të territorit dhe të mos ketë asociacion me pushtet të tretë. Mbetet tjetra që është shumë e rëndësishme dhe kjo ka të bëjë me korrupsionin. Sikur e kemi vërejtur gjatë kësaj fushate Veseli ka nxit një debat me qasjen e tij të re për ta luftuar korrupsionin, dhe për më shumë që e bën pozitive këtë qasje, është ai që thotë se do të niset nga shtëpia e tij, nga subjekti i tij, i cili subjekt përceptohet se mund të ketë të meta të kësaj natyre gjatë periudhës së qeverisjes gjatë gjithë procesit të shtetndërtimit. Pra, në këtë aspekt është shumë e rëndësishme”, ka thënë Abullahu.

Abdullahu ka thënë se lufta kundër korrupsionit duhet të bëhet, por që këtë luftë duhet ta bëjë dikush që mundet.

“Pa dyshim se e kemi dëgjuar disa herë jo vetëm ambasadorin amerikan në Prishtinë, por edhe të tjerët, dhe vendet e tjera që insistojnë që të bëhet kjo luftë medoemos, kjo luftë duhet të bëhet, më e mira është që duhet ta bëjë dikush që mund ta bëjë. Nuk mund të pritet diçka e tillë nga një parti e vogël, hezituese, që nuk është në institucione dhe që ka hezitime për institucionet tona. Mendoj se Veseli kur e ka bërë një gjë të tillë bindëse, por edhe për vetë faktin se nuk i mungon guximi, ka ndikim të madh edhe në partinë e tij, dhe është parti e madhe. Pra, është e shtrirë gjithandej në Kosovë në forma të ndryshme dhe mund të pritet që do të ketë rezultate në këtë drejtim. Por i mbetet Veselit, Partisë Demokratike të Kosovës që edhe këto ditë që na kanë mbetur të fushatës t’i bind qytetarët e Kosovës edhe partnerët ndërkombëtarë se e ka seriozisht, se mund ta bëjë dhe ka plan si ta bëjë këtë”, tha ai.