Lajme

Ischinger – Grenellit: Ndalo përpjekjen për të ndërhyrë, mandati juaj ka skaduar – lërja Kosovën popullit të saj

Ish diplomati gjerman, Wolfgang Ischinger ka reaguar ndaj ish-emisarit të Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell i cili tha se komuniteti ndërkombëtar nuk e ka bërë gjithë atë investim në Kosovë që të dalë dikush e ta shpërbëjë më pas atë, duke iu referuar Albin Kurtit.

Përmes një postimi në Twitter, Ischinger i tha Grenellit se mandati i tij ka skaduar dhe e këshilloi që të ia lë Kosovën njerëzve të saj.

“Ric, sinqerisht: ndalo përpjekjen për të ndërhyrë. Mjaft dëm është bërë. Mandati juaj ka skaduar. Lejani Kosovën njerëzve të Kosovës”, ka shkruar ai.

Grenell kishte deklaruar se komuniteti ndërkombëtar nuk e ka bërë gjithë atë investim në Kosovë që të dalë dikush e ta shpërbëjë më pas atë, duke iu referuar Albin Kurtit.

“Komuniteti ndërkombëtar nuk ka investuar aq shumë në shtetin e Kosovës që Albin Kurti të vijë e ta shpërbëjë atë”, ka shkruar Grenell.

Më pas ai ka thënë se “populli i Kosovës meriton liri dhe të ardhme” dhe ka pyetur se “pse një lider do të dëshironte ta shpërbënte Kosovën”.

Në disa reagime të mëhershme Grenell e ka cilësuar Kurtin si një anti-amerikan që ka qenë kundër secilës administratë amerikane duke filluar nga Bill Clinton.

Por kjo nuk është përplasja e vetme e tyre për vizat.

Diplomati gjerman, dhe ish-emisari për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell janë përplasur edhe më parë për Kosovën.

Ischinger kishte deklaruar se është mirë që SHBA-ja kujdeset për marrëdhëniet Kosovë-Serbi, porse njohje mes dyja vendeve nuk ka.

“Është mirë që SHBA interesohen për marrëdhëniet Serbi-Kosovë. Por e rëndësishme të theksohet: asnjë marrëveshje midis dy vendeve nuk u nënshkrua në SHBA sepse ende nuk ka njohje reciproke. Mbetet shumë punë për përfaqësuesit e Bashkimit Evropian”, ka thënë ai.

Porse nuk ka munguar as përgjigja e Grenellit.

Ai në kundërpërgjigjen e tij kishte thënë se “në vend se të ankoheni, pse nuk po i liberalizoni vizat për Kosovën, gjë që e keni premtuar për vite”,

Ischinger në replikë ndaj tij, ka thënë se pajtohet se çështja e liberalizimit është vonuar.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?