Lajme

Isa Mustafa e quajti xhelate, ja si i kundër përgjigjet Kusari

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila i ka reaguar sërish Kryeministrit Avdullah Hotit, duke thënë se deklarata e tij në lidhje me kohën e testimit dhe pritjen e rezultatit, vë në pah diskriminimin dhe injorimin që po u bëhet të sëmurëve dhe viktimave nga virusi në vend, raporton Express.

Kusari-Lila ka ironizuar edhe me deklartata e kreut të LDK’së, Isa Mustafës, i cili e quajti xhelate, duke thënë se virusi e ka bërë më agresiv.

“Në veçanti uroj të mos ju mbetet zemërimi dhe gjuha agresive e bashkëpartiakëve tuaj të cilët u shëruan nga virusi”, ka shkruar ajo.

Deputetja i është drejtuar Hotit duke i thënë se nuk mund të sillet në kundërshti me të gjitha rekomandimet e IKSHP’së për qytetarët të cilëve nuk ju lejohen vizita, ndërsa vetë të vizitojë biznese.

“Z. Hoti, nëse pretendoni të jeni Kryeministër i përgjegjshëm, atëherë, duhet të pranoni gabimet tuaja dhe pasojat që vijnë me to. Ju u sollët për t’u kritikuar z. Hoti, ju nuk respektuat rregullat dhe vazhdoni të mos mbani përgjegjësi për pasojat që i vuajnë edhe tjerët rreth jush”, ka shkruar ajo./Gazeta Express

Postimi i plotë:

I nderuar z. Hoti,

Së pari edhe një herë për ditën e sotme, ju uroj të shëroheni sa ma parë dhe me sa më pak pasoja. Në veçanti uroj të mos ju mbetet zemërimi dhe gjuha agresive e bashkëpartiakëve tuaj të cilët u shëruan nga virusi.

Së dyti, përgjigja juaj për kohën e testimit dhe pritjen e rezultatit, nuk ju liron nga përgjegjësia që mbani. Përkundrazi, kjo përgjigje vënë në pah diskriminimin dhe injorimin që po u bëhet të sëmurëve dhe viktimave nga virusi në Kosovë.
Ka shumë familje që janë privuar nga e drejta e lamtumirës me më të dashurit e tyre si rrjedhojë e mos posedimit të rezultatit të testit, por vetëm se është dyshuar se ishin të infektuar, ata janë varrosur (ndonjëherë edhe në mbrëmje) të mbështjellë me najllonë në përcjellje të policisë. Pas dy dite është kuptuar se ishin negativ në dyshimin për infektim.

Së treti, ju nuk mund të zgjedhni të silleni në kundërshti me të gjitha rekomandimet e IKPSHK-së për qytetarët të cilëve nuk ju lejohen vizitat, ndërsa ju personalisht, vetë i 30-ti vizitoni biznese e përuroni rrugë sikur mos të ishim vendi me më së shumti viktima në Botë për kokë banori, e pastaj të pritni mirëkuptim dhe amnisti nga përgjegjësia kur kuptoni se jeni të infektuar.
Z. Hoti, nëse pretendoni të jeni Kryeministër i përgjegjshëm, atëherë, duhet të pranoni gabimet tuaja dhe pasojat që vijnë me to.

Ju u sollët për t’u kritikuar z. Hoti, ju nuk respektuat rregullat dhe vazhdoni të mos mbani përgjegjësi për pasojat që i vuajnë edhe tjerët rreth jush.

Andaj, para se të krijoni më shumë dëm se sa që keni krijuar deri më tani dhe para se të mos vijmë në ditën kur zyrtarisht jemi në katastrofë, thirrni ndërgjegjës dhe merrni përgjegjësi të cilat vijnë me postin të cilin pa legjitimitet e mbani.


SHIKO VIDEON