Infermieri i dënuar për mosmbajtje të maskës, thotë se s’do ta paguaj gjobën, paralajmëron ankesë
Liburn Dema nga Gjilani të dielen e 30 gushtit bashkë me familjen e tij ishte nisur me veturë për në Prishtinë.
Por gjatë rrugës atë e ndaloi policia. Këta të fundit e dënuan Demën me gjobë prej 35 euro për mos mbajtje të maskës brenda veturës.
Dema, i cili është edhe infermier në Kliniken e Gjinekologjisë i ka treguar gazetës Objektiv se policia e rajonit të Gjilanit i ka shqiptuar atij gjobën, pavarësisht insistimit të tij se brenda veturës kishte familjarë.
“Rasti ka ndodhur me datën 30 gusht rreth orës 20:45 në mbrëmje, duke ardhur prej Gjilanit. Unë në veturë isha me bashkëshorten dhe dy fëmijët. Ne nuk i kishim maskat. Ata më thanë që nuk i kemi maskat. Unë ju thash që jam me familjarë dhe nuk kam nevojë me mbajt maskën“, ka treguar për gazetën Objektiv.
Liburn Dema ka paralajmeruar edhe ankesë në policinë e rajonit të Gjilanit lidhur me gjobën e shqiptuar.
“Nesër kam me dorëzuar shkresën në stacionin e policisë në Gjilan. Dënimin nuk e kam ndërmend me pagu. Dhe nëse policia nuk e anulon këtë dënim atëherë do të merrem me Gjykatën“, ka rrëfyer më tutje Dema për gazetën Objektiv.
Kujtojmë se vendimi i Qeverisë së Kosovës obligon mbajtjen e maskave jashtë shtëpisë.
Por Ligji anti-Covid, i cili ka përcaktuar gjobën prej 35 euro për mos mbajtjen e maskave, specifikon qartë se në rrethana te tilla nuk i shqiptohet dënim asnjë personi që brenda veturës së tij ka familjarë./Objektiv/