Lajme

IKSHPK: 40 per qind e të testuarve dolën pozitiv me COVID-19

Sipas njoftimit të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, nga 1.930 mostra të testuara në laboratorin e tyre, 855 persona janë konfirmuar me virus. Derisa edhe numri i rasteve me fatalitet ka vazhduar të jetë i lartë. Vetëm në 24-orëshin e fundit, 11 persona të infektuar me COVID-19 kanë vdekur. Mosha mesatare e atyre që humbën betejën me këtë virus ishte rreth 70.

Numri total i rasteve pozitive është mbi 32.800, prej të cilëve mbi 19 mijë e 700 kanë arritur të shërohen, e janë shënuar 885 raste të vdekjeve.

E rritja e numrit të pacientëve në QKUK e në spitale regjionale ka bërë që një pjesë e klinikës së Neurologjisë të dedikohet për COVID-19.

“Me rekomandim të Komitetit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, kemi liruar 30% të kapaciteteve që klinika të jetë e gatshme në rast të një vërshimi pacientësh me COVID-19 të përgatitet për pranimin e pacientëve potencialisht të infektuar nga virusi COVID-19”, thotë Nexhmedin Shala, drejtor i Neurologjisë.

Gjatë së premtes, në klinikat e QKUK-së e në spitale rajonale, trajtim spitalor kanë marrë 828 persona, prej të cilëve 539 janë të konfirmuar me COVID-19.

Sipas raportit të SHSKUK-së, 12 nga ta janë në respiratorë, e 603 janë duke u trajtuar me oksigjenoterapi.

Ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë, me anë të një komunikate për media, ka njoftuar se qendrave tregtare dhe super-marketeve nuk u lejohet aktiviteti i llojit “Black Friday”, pasi që grumbullimi i njerëzve është i ndaluar edhe me vendim të Qeverisë së Kosovës, shkruan Koha.net.

Duke u bërë thirrje qytetarëve edhe njëherë që t’i respektojnë masat në fuqi, kjo ministri ka përsëritur se për çdo shkelës të tyre do të ketë masa ndëshkuese.