Lajme

IKSHPK thotë se Nazlije Sherifi doli dy herë pozitiv në testin për COVID

19-vjeçarja Nazlije Sherifi nga Mitrovica, e cila vuante nga një sëmundje e veshkave, ka ndërruar jetë të dielën në Qendrën Klinike dhe Universitare.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka bërë të ditur se 19-vjeçarja përpos sëmundjes së saj ishte infektuar edhe me koronavirus.

IKSHPK tregon në detaje se kur u testua dhe çfarë rezultateve të testimit kishte e ndjera Sherifi në ditët e parë të vitit 2021.

Sqarimi i plotë:

Laboratoret e IKSHPK njoftojnë se mostra e pacientes N.Sh. (2001) nga Mitrovica fillimisht është dërguar në IKSHPK Prishtinë më datën 2 janar 2021 me kërkesën e Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë, përmes Qendrës Rajonale të Shëndetit Publik në Mitrovicë.

Pas testimit me Real Time PCR mostra ka rezultuar pozitive në SARS-CoV-2 dhe pasditen e 2 janarit 2021 rezultati i është përcjellur QRSHP në Mitrovicë dhe më pastaj autoriteteve në Spitalin e Përgjithshëm në Mitrovicë.

Një mostër tjetër e pacientës N.Sh. (2001), Mitrovicë, është dërguar në IKSHPK e referuar nga Mjekimi Intenziv Qendror, QKUK, Prishtinë me datën 3 janar 2021 dhe e njejta ka rezultuar pozitive në SARS-CoV-2.

IKSHPK njofton se mostrat e pacientes N.Sh. janë testuar sipas protokoleve të punës në laborator, si të gjitha mostrat tjera duke theksuar se IKSHPK nuk është institucion kompetent për përcaktimin e shkaqeve të vdekjeve të qytetarëve brenda spitaleve të Kosovës.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?