I dërguari i posaçëm i Gjermanisë: Liberalizimi i vizave për Kosovën, hap i domosdoshëm
I dërguari i posaçëm i Qeverisë së Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin ka thënë se është koha që Qeveria e Kosovës të shpërblehet me liberalizim të vizave për qytetarët e saj, shkaku i reformave që ka ndërmarrë.
Së një intervistë për agjencinë gjermane të lajmeve Deutsche Welle të realizuar të hënën, Sarrazin ka deklaruar se heqja e vizave për qytetarët e Kosovës është “nga ata hapa të domosdoshëm që duhen ndjekur tani”.
Samiti BE-Ballkani Perëndimor do të zhvillohet në Bruksel më 23 qershor 2022.
Sarrazin, në këtë intervistë ka paralajmëruar Bashkimin Evropian për mungesën e progresit në procesin e zgjerimit të unionit për vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Premtimi për zgjerim i bërë në Samitin e Selanikut të vitit 2003 është i vlefshëm. Dhe për këtë, 14 prioritetet thelbësore dhe zbatimi i reformave i mbeten Bosnje-Hercegovinës, në mënyrë që të mund t’ia japim përfundimisht statusin e kandidatit”, tha fillimisht ai.
“Për Kosovën qeveria është duke realizuar reforma dhe ne duam t’i shpërblejmë. Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një nga ata hapa të domosdoshëm që duhen ndjekur tani”, ka thënë Sarrazin, transmeton Paparaci.
Ai u ka bërë thirrje qeverive në Kosovë dhe Serbi që të bëjnë hapa përpara në procesin e dialogut në Bruksel.
“Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë gjithashtu duhet të rifillojë dhe të dyja palët duhet të përgatiten për të bërë përparim atje”, ka deklaruar Sarrazin.