Lajme

Hoxhaj: Vetëvendosje paraqet rrezik permanent për rendin tonë kushtetues

Kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj ka folur për Ditën e Kushtetutës, e cila shënon 13 vjetorin e miratimit të aktit më të lartë juridik të Kosovës.

Me anë të një postimi në Facebook, Hoxhaj ka thënë se kjo Kushtetutë reflekton vlerat më të larta të shoqërisë kosovare, si vlera bashkëkohore të bazuara në rend dhe ligj.

“Sot, Republika e Kosovës shënon 13 vjetorin e miratimit të Kushtetutës, aktit më të lartë juridik të vendit tonë. Kjo Kushtetutë reflekton vlerat më të larta të shoqërisë sonë, si vlera bashkëkohore të bazuara në rend dhe ligj. Derisa më parë patriotizëm ishte lufta për të ardhur deri të themelimi i saj, sot, patriotizëm e atdhedashuri është respektimi dhe ruajtja e kësaj Kushtetute”, ka shkruar Hoxhaj.

Ai nuk e ka lënë pa përmendur edhe faktin se Vetvendosje, që sot është shumicë parlamentare, deri sot nuk e ka njohur Kushtetutën.

Madje thotë se VV paraqet rrezik permanent për rendin Kushtetues.

“Fatkeqësisht, Kosova sot ka një shumicë parlamentare dhe një Qeveri e cila jo vetëm që nuk e ka njohur, por vazhdimisht e ka mohuar dhe luftuar misionin dhe funksionin e saj. Madje, ky grup njerëzish që aktualisht qeverisin me vendin kanë ardhur në pushtet duke ndjekur rrugë dhe metoda antikushtetutese dhe paraqesin një rrezik permanent për rendin tonë kushtetues. Partia Demokratike e Kosovës, siç ka ditur që të jetë pjesë e procesit të themelimit e më pas edhe ruajtjes së saj, do të dijë edhe sot që gjithmonë të jetë e gatshme për ta mbajtur të paprekshme atë. Urime, Kosovë”, ka shkruar Hoxhaj.