Lajme

Hoxhaj ia shuan shpresat Haradinajt: Pozita e presidentit na takon neve

Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj ia ka shuar shpresat kreut të AAK-së për t’u bërë president.

Ai thotë se partia e tij nuk i jep vota askujt tjetër që vjen nga partitë në pushtet.

Hoxhaj mohoi se PDK-ja do të bëhet pjesë e Qeverisë Hoti, por shtoi se do të përfshihet në temën e zgjedhjes së presidentit të ri, shkruan Reporteri.net.

“Që ta kuptoni drejt qasjen tonë. PDK-ja është në opozitë, mbetet në opozitë, por janë 4-5 tema të cilat janë të karakterit nacional, ku kërkohet konsensus nacional. Një temë e tillë është edhe kjo pakoja e rimëkëmbjes ekonomike. Një temë e dytë është edhe zgjedhja e presidentit. Presidenti është president edhe i opozitës dhe i gjithë qytetarëve të Kosovës. Por në atë rast kur kërkohen votat e PDK-së, edhe kandidati duhet të jetë i Partisë Demokartike të Kosovës”, tha Hoxhaj.

Kujtojmë se kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka bërë të qartë disa herë se nëse ai nuk bëhet president, vendi do të shkojë në zgjedhjet ë reja.

Pas dorëheqjes së Hashim Thaçit nga pozita e presidentit, për shkak të ngritjes së aktakuzës nga Gjykata Speciale, pozitën e ushtrueses së detyrës po e ushtron Vjosa Osmani. /Reporteri.net/


SHIKO EDHE: Si do të duket jeta pas COVID-19?