Lajme

Hoti tejkalon kompetencat kushtetuese, shpallja e Gjendjes së Jashtëzakonshme iniciohet vetëm nga Presidenti

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka kaluar kompetencat kushtetuese dhe rolin e funksionit të tij kushtetues.

Pas rritjes së numrit të të prekurve me virusin COVID-19, Hoti duke dashur ta heqë përgjegjësinë nga vetja si kryeministër dhe nga qeveria e tij, po e përmend vazhdimisht shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme, e cila as nuk mund të iniciohet dhe as të bëhet prej tij si kryeministër.

Kryeministri Hoti sot shkoi madje edhe një hap më tutje, duke thënë se Këshilli i Kryetarëve në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës përkrah masat e reja të Qeverisë së Kosovës, përfshirë Gjendjen e Jashtëzakonshme, në luftë për parandalimin e përhapjes së COVID 19.

Por, sërish Hoti është jashtë rolit të tij kushtetues, sepse bazuar në nenin 131 të Kushtetutës [Gjendja e Jashtëzakonshme] vetëm Presidenti i Republikës mund të shpallë Gjendjen e Jashtëzakonshme, dekreti i të cilit në rastin e pandemisë do të duhej të votohej me shumicë të thjeshtë nga Kuvendi i Kosovës.

Pra, nuk mund ta marrë një iniciativë të tillë Kryeministri, por vetëm Presidenti.

“Me shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme, Presidenti i Republikës së Kosovës shpallë menjëherë dekretin, i cili përcakton natyrën e kërcënimit dhe çfarëdo kufizimi për të drejtat dhe liritë. Brenda dyzet e tetë (48) orësh, Kuvendi mund të japë pëlqimin me dy të tretat (2/3) e votave të deputetëve të pranishëm dhe që votojnë. Nëse nuk jepet pëlqimi, dekreti i Presidentit nuk ka forcë as efekt”, thuhet në këtë nen të Kushtetutës.

Presidenti dhe jo kryeministri, mund të urdhërojë më pas edhe mobilizimin e Forcës së Sigurisë të Kosovës, për të ndihmuar në Gjendjen e Jashtëzakonshme.

Këshilli i Sigurisë i Republikës së Kosovës, vetëm gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme ushtron funksione ekzekutive që kufizohen në funksionet që ndërlidhen në veçanti me Gjendjen e Jashtëzakonshme. Gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme, Këshilli i Sigurisë i Republikës së Kosovës do të drejtohet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, sikurse rregullohet me ligj. Gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme, Këshilli i Sigurisë i Republikës së Kosovës do të bashkëpunojë ngushtësisht me Qeverinë, Kuvendin dhe autoritetet ndërkombëtare.

Por, përveç shmangies nga përgjegjësia e tij si kryeministër, nuk është e qartë pse po insiston Hoti kaq shumë në shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme, kur do i duhej që edhe pushtetin ekzekutiv t’ia dorëzonte presidentit Thaçi në menaxhimin e kësaj situate.

Nga burime brenda qeveritare mësohet se kryeministri Hoti, pas situatës së krijuar, nuk e ka mbështetjen e partnerëve qeverisës për vazhdimin e dialogut me Serbinë dhe me shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme ai do të krijonte mjaftueshëm arsyeshmëri politike për të mos e rrezikuar qeverinë e tij dhe për të mos u dukur i paaftë dhe i dobët politikisht para publikut dhe ndërkombëtarëve.

Po nga këto burime mësohet se kryeministri Hoti e ka ftuar për nesër/të dielën në orën 15:00 mbledhjen e Këshillit të Sigurisë për të diskutuar për këtë gjendje alarmante, ftesë kjo që gjithsesi është shumë e vonë. Megjithatë, para se Këshilli i Sigurisë i ftuar për nesër të marrë ndonjë vendim, baza kushtetuese dhe ligjore është shumë e qartë dhe saktëson se pa pëlqimin e Presidentit as ata dhe as Kryeministri nuk mund të ndërmarrin një veprim të tillë. Kjo nënkupton që paraprakisht Kryeministri duhet të dakordohet me Presidentin për shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme, gjë që si duket Hoti po mundohet ta shmangë edhe në këtë rast, ashtu sikurse e ka shmangur bashkëpunimin me Presidentin deri më sot, qoftë për t’u dakorduar edhe rreth rifillimit të dialogut apo edhe rreth luftës kundër pandemisë.

Bazuar në nenin 5 të Ligjit për themelimin e Këshillit të Sigurisë, saktësisht në paragrafin 5.4 të tij, Kryeministri është i obliguar të thërras takimin e Këshillit të Sigurisë së Kosovës në rast se Presidenti i Republikës së Kosovës apo shumica e anëtarëve të përhershëm Këshillit të Sigurisë së Kosovës formalisht kërkojnë takim.

Gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme të shpallur, edhe sipas nenit 14 të këtij ligji, Presidenti i Republikës së Kosovës kryeson Këshillin e Sigurisë së Kosovës.


SHIKO VIDEON